Saturday, January 25, 2014

Refleksione nga Mesnevi-4



Hamdi Nuhiju

“ Kur trëndafili thahet, trëndafilishta bëhet shkretë,
Ku t`ia gjej aromën? Në lëngun e trëndafilit vetë!”

Bota moderne po kulmon në injorancën e materies. Ajo ka harruar tërësisht ose pjesërisht shpirtin. Sikur shpirti të lundronte mbi të, do ta zbuste zemrën e saj dhe njerëzit e popujt në të do të ishin më të arsyeshëm. Arsye me shpirtin dhe zemrën e dashurisë. Arsye me botën e cila njeh tolerancën e jo luftën. Arsye me ekzistencën e tjetrit dhe të drejtën e mbijetesës së popujve. Secili njeri ose më saktësisht secila krijesë në këtë botë, ka të drejtën e ekzistencës. Kjo ekzistencë, qoftë e kufizuar ose jo nga Krijuesi i botëve është mëshirë dhe pasuri e kësaj bote. Kjo ekzistencë është dëshmi e krijimit perfeksionues.
Trëndafili thahet, pasi që nuk ujitet. Po ashtu trëndafilishta bëhet e shkretë. A nuk janë shkretëruar trëndafilishtat e zemrave dhe ndjenjave tona?
Aroma humbi nga hiret tona. Jo se u zhduk. Jo se u transformua. Por ne u shndërruam nga zemra në gur. Aroma e trëndafilit gjendet në lëngun e trëndafilit.

“ Të gjithë të dashuruar, ashku, perde në mes,
I dashuruari është i gjalli, dashnori, ai që vdes!”

Sikur nuk mjaftonte vetëm një buzëqeshje në fytyrën e besimtarit për të reflektuar në dashurinë dhe sinqeritetin? Edhe një buzëqeshje e sinqertë, pa lajkatime është sadaka. Buzëqeshje e cila buron nga thellësia. Buzëqeshje e cila ngjall emocione, buzëqeshje e cila bashkon shpirtra. Kjo botë materiale ka nevojë për ndërhyrjen e dashurisë. Kurmi i saj është buzëqeshja.
Fryma e dashnorëve është frymë imani. Dashnori vdes, por dashuria ngelet e gjallë dhe dëshmi për të në Ditën e Llogarisë. Mos humb shpresën o shpirt i përvuajtur.

“ Kush s`dashuron mbetet si një zog pa fletë,
I mjeri ai, s`mund të fluturoj dot!”
Tha:’ Unë kam dhjetë fëmijë dhe nuk e ledhatoj asnjërin’. Kush të ka faj o njeri pse ke mbyllur zemrën e shpirtin? Mesi i Kur`anit është butësia, ndërsa butësia është një degë e dashurisë. Bota pa dashuri është botë e egër. Civilizimi dallon prej prapambeturish përmes mungesës ose qasjes ndaj dashurisë. Popujt e civilizuar janë ato të cilët i japin shtysë punëve të tyre përmes rrugëve të dashurisë. Popujt e prapambetur janë popuj injorantë të cilët nuk dinë t`i vlerësojnë vlerat e njeriut, po ashtu nuk dinë të dallojnë të mirën nga e liga.
Fluturo me krahët e hapur e pa paragjykime për popujt e botës. T`i nuk je i krijuar për t`i paragjykuar njerëzit, po për t`i dashur.

“ Si mund të shoh unë dot ç`kam para e pas,
N`se drita e dashurisë, s`më ndritë para e pas?”

Zemrat u errësuan, mendja u turbullua. Eja o vëllai im dhe pi ujë nga eliksiri i dashurisë.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...