Hamdi Nuhiju
Intelektualët janë elitat e
popujve. Pa ekzistencën e tyre as popujt nuk mund të ekzistonin si të qytetëruar
dhe nuk mund të hapëronin drejtë ardhmërisë së tyre me hapa të sigurt.
Prej tyre, intelektualëve, nisin
revolucionet politike, ushtarake e ekonomike. Ata janë një motor i rëndësishëm
zhvillimi në të gjitha sferat e jetës. Po intelektualët janë ajka e korpusit
kulturor dhe ura lidhëse midis popujve. Kur intelektualët prishen ndërmjet veti,
ose janë në luftë me intelektualët e popujve tjerë, në luftë futen edhe popujt.
Popujt janë të varur prej
intelektualëve, ndërsa intelektualët dalin nga mesi i popujve. Popujt mbajnë përgjegjësi
historike ndaj intelektualëve, ndërsa këta të fundit, mbajnë barrën e rëndë
morale.
Kur intelektualët prishën në
moral, edhe popujt ndjekin rrugën e tyre. Intelektualët në një formë janë prijës
të popujve.
Sipas fjalorit elektronik
shpjegues me termin intelektual nënkuptojmë:” Ai që ka një
përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, të teknikës, të kulturës e një
formim të gjerë arsimor dhe merret kryesisht me punë mendore, njeri i punës
mendore”.
Njeriu qe merret me pune mendore.
Diogjeni, një filozof i vjetër dilte ditën me fanar në dorë për t`i kërkuar njerëzit.
Ndërsa, sot ka ndryshuar qasja. Po të ishte gjallë ky filozof, do të kapte
fanarin në dorë dhe do të dilte ditën për të kërkuar intelektualët. Aq shumë janë
zhagmitur dhe përzier intelektualët me të ashtuquajturit intelektual, saqë është
bërë e vështirë të dallohet e bardha nga e zeza.
T`i thuash një jo intelektuali,
intelektual është njëjtë si t`i thuash gruas tënde ministresh për punë të
brendshme. Ky kuptim me bisht mund të bishtnohet ende më shumë nëse analizojmë konkretisht
raste të shumta të këtij fenomeni në vendin tonë.
Po të kisha forcë politike, me
ligj e kisha ndaluar përdorimin e termit intelektual në Maqedoni. Në ligj e
kisha përmendur si përjashtim, se lejohet përdorimi i këtij termi, vetëm pas
vdekjes së intelektualëve dhe pas dëshmisë së dyzetë njerëzve të besueshëm në
shkencë për atë copë kontributi që ka dhënë ai njeri në atë lëmi.
Paramendoi rrethet shqiptare në
Maqedoni pa termin intelektual. Të gjithë do t`i kontribuonin një ideali të përbashkët,
pa mendjemadhësi e egoizëm. Mënyrat e kontributit do të ishin të ndryshme, po
caku ose qëllimi do të ishte i njëjtë. Rrugë përfundimi i gjithë asaj pune do të
ishte e mira e përgjithshme për qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, e në veçanti
për qytetarët shqiptarë të këtij vendi.
Me thanë se nuk ka intelektual
shqiptarë në Maqedoni, nuk bën. Është konstatim jo i drejtë dhe jo i saktë. Por,
edhe përdorimi i këtij termi në këto përmasa në këtë vend është i tepërt dhe vetëm
në dëm të shqiptarëve të Maqedonisë.
Në fund të fundit intelektualët janë
në shërbim të popullit. Ata intelektual që e shohin veten pa popull ose jashtë popullit,
që i lejojnë vetes çdo lloj mëkati, janë thjeshtë jo intelektual. Kjo kategori
e njerëzve ka probleme serioze me vetveten.
Njeri më i mirë është ai i cili përzihet
me njerëzit tjerë dhe i duron karakteret e tyre , ka thënë Pejgamberi Muhammed.
No comments:
Post a Comment