Hamdi Nuhiju
E enjte,
17.07.2014, Kumanovë
“ Andaj, mos kërko shkatërrimin e
tyre të shpejtë, se, me të vërtetë, Ne ua numërojmë ditët e caktuara” (
Merjem:84)
Mësimet kuranore vlejnë për
secilin njeri. Ai duhet vetëm ti pranoj ato në praktikë dhe të mos mohoj. Duhet
që të mbështetet në to, ti besoj dhe të bëjë punët paraprake me udhëzim të
Allahut xh.sh.
Mësimet kuranore qetësojnë
mendjet dhe zemrat e besimtarëve. Ata hapin horizontet e tyre përtej botës së
qenies njerëzore. Miliarda fate njerëzish përcaktohen nga këto mësime. Miliarda
krijesa definohen drejtpërdrejtë prej këtyre mësimeve. Po njeriu duhet vetëm të
zbuloj vetveten në secilin harf në Kur`an. Pa bërë hapin e duhur, nuk merr
mësimin e duhur.
Kjo gjë është e njëjtë edhe me jetën
e përditshme. Pa dhënë kontributin e duhur, nuk mund të shpresosh në
shpërblimin e duhur.
Mësimet kuranore hapin portën e
pendimit dhe e afrojnë tek zemra jote. Ajo pulson me atë portë deri në momentin
e çlirimit përfundimtar. Nëse është zemër e sëmurë e pa shpresa shërimi,
atëherë dënimi i asaj zemre është i ngadaltë. Ditët nuk ke nevojë ti numërosh
ti.
Dikush i ka shurdhuar veshët e
zemrës dhe nuk mundet në asnjë mënyrë të dëgjoj fjalën e Allahut. Disa të tjerë
as që tentojnë të hapin sytë e zemrës për të parë vizionin e botës. Për t`u
habitur është qëndrimi i besimtarëve të cilët nuk e hapin Kuranin as në muajin
e Kuranit. Ata i ka kapluar pluhuri i neglizhencës dhe harresës totale. Nëse
dëshiron të kuptosh se në çfarë niveli gjendet imani i një familjeje myslimane,
vështroi pak mus`hafët e tyre. Shiko se sa janë të shfletuara ato. Shiko se sa
flet të thyera ka në to.
Me të vërtet ditët e mëkatit janë
të numëruara. Ata nuk ka nevojë ti numërosh ti. Evidenca në këto gjëra nuk
është në dorën tënde. Ti je i liruar tërësisht prej këtij lloji të evidentimit.
Allahu mban premtimin e Tij. Ky
premtim vlen deri në ditën e llogarisë. Njeriu nuk mund të qetësohet ose
shqetësohet në bazë të tekave të tij. Po ai do të besoj në fjalën e Allahut ose
do ta mohoj të njëjtën.
Ditët e zullumqarëve janë të
numëruara. Ky është premtim i Zotit, kjo është shpresa e besimtarëve. Ata nuk
mund të thyejnë besimtarët edhe nëse e posedojnë pasurinë e tërë botës. Ata nuk
mund të shkelin nderin e tyre e as ti zhdukin nga faqja e dheut ashtu edhe siç
pretendojnë.
Fitorja e besimtarëve është afër.
Vetëm duhet durim dhe bashkim të radhëve dhe zemrave tona. Nëse zemrat nuk i
kemi të bashkuara, nuk ka dyshim se edhe radhët nuk i kemi të bashkuara. Nëse e
gënjejmë veten se kemi radhë pa zemra, jemi futur në një qorrsokak.
Drita në fund të tunelit është
afër. Të gjitha shenjat po paralajmërojnë atë gjë.
No comments:
Post a Comment