Hamdi Nuhiju
E premte,
04.07.2014, Kumanovë
Duke na ikur ditët po na ikë edhe
jeta në rrugën pa kthim. Shpesh herë gjakosim mendjen me idenë se drejtësia nuk
njeh njerëz të mirë e të ligë. Ndoshta jetës i ikin momentet më intime të
vdekjes, por përsëri, mendja ringjallë shpresën e rikthimit në vetvete.
Njerëzit
po jetojnë me paragjykime edhe pse po pretendojnë se njohin të Vërtetën.
Paragjykim nuk është njohja, po
mosnjohja. Ti mund ta paragjykosh në rend të parë vetveten. Vjen në një pozitë
kur nuk e di se kush je. Del nga natyrorja dhe shndërrohesh në një njeri pa
identitet. Reagimet e tua tregojnë pjesën emocionale të shpirtit dhe zemrës. Në
moment shpreson se mund të kesh përfitime materiale nga pozita e caktuar, ndërsa
në një moment tjetër zhdukesh nga arena e jetës për t`u fshehur në birucën e
miut.
Është qesharake ta mendosh
njeriun trupmadh në birucën e miut. Dikush thotë se kjo gjë është e pamundur. Për
të gjithçka është e pamundur. Edhe zhvillimi normal i fëmiut deri në rritje është
një mision i pamundur. Edhe edukimi i tij me bazat islame, është një tentim i dështuar
qysh në fillim.
Vet ky mendim është dështim në
vetvete. Njeriu jep mundin maksimal për të pritur rezultatet në këtë botë po
edhe në botën tjetër.
A mund ta lëndojmë vetveten duke lënduar
të tjerët? Apo ndoshta shfryhemi në këtë mënyrë? Lëndimi nuk njeh gjuhë
shfryrjeje pos ngrysjes e fatkeqësisë. Duhet që të disiplinojmë vetveten për të
vepruar në shoqërinë njerëzore.
Momentet e përgojimit e shpifjes janë
momentet më të dëmshme në historikun e një njeriu. A e di se si ndjehet një
njeri kur përgojon? Ajo ndjejë e hidhur, edhe pse e hidhur e diktuar prej
vetvetes, prapë mbretëron në mendjen dhe shpirtin tënd. Të ka kapluar tërësisht
ndjenja e tillë dhe kërkon nga t`i që të vazhdosh thellë e më thellë.
Myslimani asnjëherë nuk guxon që
të gëzohet në fatkeqësinë e tjetrit. Për këtë gjë kemi shumë shembuj në historinë
e të parëve tanë, ku ndër to edhe historia e Salahudin Ejubit r.a. i cili dërgoi
mjekun e tij personal për ta shëruar armikun. Atij nuk i duhej një armik i sëmurë.
E ndiente vetën të ofenduar po qe se vazhdon luftën dhe betejat me një armik që
nuk e ka të barabartë.
Ajo ndjenjë sublime e drejtësisë
duhet që të rikthehet në meset e myslimanëve. Ne nuk guxojmë që të shohim me
sytë e arrogancës dhe egërsisë, por me sytë e dhembshurisë e dashurisë. Nëse garojmë
në punë të mira e të dobishme për shoqërinë, nuk d.m.th se jemi armik të njëri-tjetrit.
Po thjeshtë mundohemi që të arrijmë shpërblimin dhe synimin e njëjtë. Prej kësaj
gjendje përfiton shoqëria e cila ka nevojë për një garim të këtillë.
Nëse garojmë në punë të ndyta dhe
armiqësi, ne shkaktojmë dhimbje, dembelizëm e çrregullime në shoqëritë tona.
Garimi në punë të mira është njëra
prej punëve më humane. Ky garim, ndoshta është edhe mesazhi i muajit të bekuar
të Ramazanit.
No comments:
Post a Comment