Hamdi Nuhiju
Pas ndeshjes futbollistike midis
Shqipërisë dhe Serbisë, në Beograd, ku ndodhën shumë incidente, mediat
maqedonase nuk ndalen së ofenduari në mënyra të ndryshme shqiptarët e Republikës
së Maqedonisë. Sikur të ishin duke luajtur Shqipëria me Maqedoninë dhe sikur
shqiptarët e Maqedonisë të kishin fajet se pse, u provokua e gjithë situata e
krijuar në Beograd.
Janë patetik shumica e publicistëve
dhe analistëve prej tyre, të cilët shprehen se me Marrëveshjen e Ohrit,
shqiptarëve të Maqedonisë u dhamë tepër. Ndoshta edhe më tepër se ç`duhej dhënë.
Ky lloj patetizmi, krijon një lloj frike prej shqiptarëve, frikë e panevojshme,
ndërsa në vetvete është shndërruar në kauzë ditore e medieve dhe politikës. Sa më
shumë që të krijohet frikë dhe panik, aq më shumë politika maqedonase do të ketë
arsyetime për ta shtrënguar kravatën në fytin e shqiptarëve.
Papunësia në nivel të frikshëm për
publicistët dhe analistët maqedonas nuk është frikë e problem. Ajo madje edhe
nuk ekziston në sytë e tyre. Unë jam i bindur se edhe në realitetet e tyre, papunësi
të këtillë të frikshme nuk ka. Por, në sytë e opozitës si dhe të
nacionaliteteve tjera jashtë maqedonase që jetojnë në këtë vend, papunësia është
një kafshatë zor kapërdyese.
Ndeshja Serbi-Shqipëri na hapi
sytë edhe njëherë shqiptarëve të Maqedonisë, se në çfarë gjendje të mjerueshme
gjendemi. Të gërvishtësh pak në fytyrat e këtyre intelektualëve do të dalin
fjalë dhe terme ndër më ofendueset dhe më banalet për një popull që llogaritet
shtet formues. Maqedonasit dhe shqiptarët në këtë shtet, termin bashkëjetesë si
duket prej zorit e kanë shndërruar në fobi ose frikë, diçka e ngjashme me atë
foton ku një burokrat barkmadh ushqehet nga luga e popullit kocë përjashta.
Korrupsioni i politikanëve tanë,
si duket është ngazëllyer prej këtyre publicistëve që ndoshta ushqehen prej
kafshatave të tilla, për të helmuar opinionin publik me lloj-lloj fjalësh e
helmesh nga më të ndryshmet. Gjuha raciste është gjuhë e dënueshme me ligjet e
Maqedonisë, por edhe me ligjet e të gjitha vendeve tjera të botës. Nëse në ndonjë
vend tjetër të botës, ndodh ndonjë incident, vizualiteti i atij incidenti nuk
duhet vezulluar edhe në mesin tonë, për të krijuar incidente të panevojshme dhe
për të nxjerr në pah formën vet mbrojtëse.
Publicistët maqedonas dhe
shqiptarë në Maqedoni, duhet që të kanë një mision të përbashkët, luftimin e
korrupsionit, luftimin e papunësisë, luftimin e ndarjeve ndër etnike, e jo të janë
urë lidhëse ose bombë e politikës për të ndezur incidente të panevojshme midis
shqiptarëve dhe maqedonasve.
E di se ato që nisen nga parimi
se peshku i madh duhet të haj peshkun e vogël, e kanë të vështirë ta kuptojnë atë
që po e kërkoj. Por, në një truall të përbashkët, vend për të cilin kontribuojmë
të gjithë me taksat dhe mundin tonë, është mirë që të mos rrënojmë për një natë,
atë që ndoshta na duhen vite të tëra për ta ndërtuar.
Nëse paska ndodhur një incident në
stadiumin e Partizanit në Beograd, ky incident mund të interpretohet prej
shqiptarëve dhe serbëve, protagonist të incidentit. Maqedonasit nëse e quajnë veten
si një popull i veçantë, prej popujve tjerë sllavë, me karakteristika të
veçanta, nuk kanë se çka të përzihen. Përndryshe mund të dyshojmë në
identitetin e tyre nacional. Ndoshta është identitet i rremë, ose edhe i
vjedhur prej identiteteve tjera ballkanike.
No comments:
Post a Comment