Thursday, November 27, 2014

28 nëntori dita e krenarisë kombëtare

Hamdi Nuhiju

28 nëntori është dita më e rëndësishme e kombit shqiptarë. Është dita, kur u ngrit flamuri shqiptar në Vlorë dhe nxori në pah pavarësinë e Shqipërisë.


Me 28 nëntor u gëzuan të gjithë banorët e Perandorisë Osmane. U gëzuan shqiptarët për krijimin e shtetit të tyre, po ashtu u gëzuan edhe turqit për heqjen e një barre të rënd që në momente të fundit të ekzistencës së tyre e kishin të vështirë ta mbajnë mbi supe.

Kjo datë, edhe pse është krenari kombëtare e mbarë shqiptarëve, zymtohet me fytyrat e politikanëve që po tregtojnë me fatin e kombit tonë. Ata po e përdorin kombin shqiptar për të tregtuar dhe shitur mallin e tyre në tregun evropian dhe botëror. Ata nuk po interesohen për hallet tona dhe vlerat që përfaqëson kjo datë.

Aksioni politik me 28 nëntor, nuk duhet të jetë folklor, siç jemi mësuar ta shohim ndër vite. Ai duhet të nxjerr produkte serioze, si forma të akademive mbarë shqiptare, ose programe kombëtare, serioze, për zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura në Ballkan.

Me folklor, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk mund të arrijnë asnjëherë deri tek të drejtat e tyre, e as ato të Maqedonisë. Për to dhe shqiptarët tjerë jashtë Shqipërisë zyrtare, duhet që të ekzistoj një program kombëtar i përgatitur nga Akademia e Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë, e obligativ për të gjitha subjektet politike shqiptare që do të qeverisnin me shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Luginë të Preshevës.

Folklori është vrima e fundit e kavallit për shqiptarët. Ne nuk guxojmë që të dehemi pas folklorizmave duke harruar përgjegjësitë që kemi mbi supe si popull mbi të gjithë ne. Edhe shqiptari i porsalindur është një përgjegjësi plus për politikanët tanë që po qeverisin në të gjitha këto troje. Prej kësaj përgjegjësie nuk përjashtohet asnjë politikan. Folklorizmi le t`i ngelet popullit, ndërsa politikanëve i ngelet programi i zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan.

Kjo është një dëshirë e të gjithë neve, e cila ende nuk është bërë realitet. Fatkeqësisht, folklorizmat që i organizojnë politikanët tanë gjatë festave kombëtare, na bëjnë të mendojmë se ne ekzistojmë për politikanët tanë, e jo ata për neve. Duket sikur ne i kemi borxh atyre gjithçka,ndërsa ata gjithmonë kanë të drejtë të arsyetohen se rrethanat dhe kushtet nuk janë pjekur akoma për zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura.

Shqiptarët duhet që të vetëdijesohemi se nuk jemi kloun të partive politike shqiptare e as dhi që mund të na bartin ka të duan. Ne jemi njerëz, me kërkesa tona, që i kemi zgjedhur po këta përfaqësues për të na zgjidhur hallet tona, e jo për të na bartur herë andej e herë këndej. Nëse vetëdijësojmë veten, e kemi shumë të lehtë që t`i vetëdijësojmë edhe politikanët tanë. Por, përderisa dehemi pas folklorizmave, pa asnjë rezultat pozitiv për çështjen tonë, ne gjithmonë do të jemi dhi që na bartin zvarrë përfaqësuesit tanë politik.

Ky 28 nëntor le të jetë folklori i fundit që na gjen të pa vetëdijesuar për atë që kemi më së shumti nevojë. Urime.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...