Saturday, January 10, 2015

Sa kushton mendjemadhësia?

Hamdi Nuhiju

Njeriu kërkon çmimin e secilës gjë. Ai hulumton thellë në treg për të gjetur dy gjëra: çmimin më të lirë, por edhe mallin më cilësor. Ndonjëherë nuk ia vlen të shikohet çmimi i mallrave, por ndonjëherë duhet që përmes tij një mall i caktuar të peshohet.


Të gjitha gjërat kanë çmim. Madje edhe jeta e njeriut ka një çmim. Nëse ti nuk jeton në bazë të rregullave dhe normave të caktuara prej diku, nuk ke jetuar si njeri. Vlera e njeriut peshohet përmes veprave të tij. Sa më shumë vepra të mira që të bëj ai në këtë botë, aq më shumë vlerësohet dhe ndikon thellë në mentalitetin e shoqërisë. Po ashtu edhe nëse bën vepra të liga, ndikimi tek masat e caktuara të njerëzve mund të jetë i habitshëm.

Rruga të cilën ndjek njeriu, duhet të jetë në proporcion të drejt me vlerat që përfaqëson. Nëse bie në kundërshtim me vlerat e jetës së tij, ajo rrugë është e dështuar, pa zgjidhje. Drita në fund të tunelit nuk shihet, ndërsa tuneli sa më gjatë që shkon aq më shumë zgjatet.

Ka njerëz që e kanë humbur konceptin e jetës në këtë botë. Të tjerët kanë humbur gjithçka përveç mendimit se ata janë të vetmit në këtë botë që kanë të drejtë, që jetojnë me parime e rregulla nga kjo botë. Thirren në emër të shpirtërores për ta cunguar shpirtëroren dhe për të krijuar një imazh negativ ndaj shpirtërores. Këtyre veprave pa qëllim, ose me qëllim të padefinuar mirë, njeriu shpesh herë di që t`i paraprij përmes fryrjes së egoizmit dhe krijimit të dromcave të mendjemadhësisë.

Çmimi i mendjemadhësisë është shumë i lartë. Nëse njeriu futet në kurthin e tij, ai e ka të vështirë që të bëjë dallimin midis të bardhës dhe të zezës. Ai po ashtu nuk mund të bëjë dallimin as midis të mirës e të ligës, të lejuarës e të ndaluarës. Rruga që ka vizatuar i duket rruga e vetme e shpëtimit. Dija që posedon, është në nivel të pagabueshmërisë. Shoqëria ku jeton, duhet patjetër t`i përshtatet atij e jo ai t`i përshtatet shoqërisë. Çdo hap i tij në këtë botë, është hap i ngatërresës në emër të rregullimit.

Nuk ka shpëtim as nga njerëzit as nga Zoti për mendjemadhin. Bota e tij është botë e ngurtë, e egër, pa shpresa. Ajo di të vloj mendjen dhe të nxis zemrën për gjëra të cilat krijojnë shumë çrregullime. Nuk mund të ekzistojnë njerëz në këtë botë të cilët i duan mendjemëdhenjtë. Edhe vet mendjemadhit i pengon mendjemadhi. Ai ankohet nga mendjemadhësia e tij, dhe nuk e sheh veten në pasqyrë.

Ndonjëherë njeriu duhet që të reflektoj në vetveten. Ta shoh veten në pasqyrë, por me sy të tjerëve. Si duket ai, si do të jetoj ai? Edhe pse është mirë ta shoh veten edhe me sytë e vetvetes, por asnjëherë ai nuk reflekton mbi vetveten nga vetvetja. Sikur të reflektonte në këtë formë, mendjemadhësia nuk do të kishte çmim, prandaj edhe do të zhdukej nga tregu.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...