Friday, February 13, 2015

Maqedonia në ‘ shtetin’ e Ibën Haldunit

Hamdi Nuhiju

Lexuesit e dinë, se Ibën Halduni është një sociolog i madh mysliman, i cili ka përshkruaj popujt, fiset, e shoqëritë e ndryshme përmes prizmit të tij praktik.
Ata ndoshta kanë lexuar, se ai ka bërë një përshkrim të thellësishëm të fenomeneve historike dhe shoqërore që kanë ndikuar në krijimin e rrethanave dhe kushteve të ndryshme për t`u krijuar popuj e fise të ndryshme. Asabija ose grupimi mbi baza të solidaritetit shoqëror është një koncept i Ibën Haldunit i cili më vonë është marr ose pranuar prej të gjithë filozofëve dhe sociologëve perëndimor për t`i përshkruar fenomenet e ndryshme të natyrës shoqërore.

Edhe sfera e politikës, artit, kulturës, arsimit, ekonomisë kanë qenë bazamente të një interpretimi logjik dhe didaktik i të menduarit i cili të ka çuar në mullirin e të menduarit pozitiv.

Sipas Ibën Haldunit, një shtet bazohet mbi drejtësi, por edhe në forcë. Koncepti i tij i shtetit lidhet ngushtë me konceptin bashkëkohor të shtetit.

Ai, shtetin e përshkruan përmes pesë fazave të rëndësishme, tek të cilat po u ndalëm, duhet nxjerr libra të posaçme për çdo fazë veç e veç.

Reflektimi jonë lidhet me një fazë, ose fazën e pestë të tij, e që është përfundimtare për historinë dhe logjikën mbi shtetin.

Ibën Halduni fazën e pestë të shtetit e definon në këtë formë:” Faza e shkapërderdhjes dhe shkatërrimit. Në këtë fazë, shteti fillon të degjenerohet dukshëm. Autoriteti politik dhe ithtarët e tij fillojnë t`i shfrytëzojnë për interesa vetjake mundësitë që i jep shteti. Punët e rëndësishme u lihen në dorë njerëzve të paaftë. Shteti s`arrin t`u dalë me krye harxhimeve. Taksat dhe borxhet shtohen. E drejta politizohet dhe keqpërdoret. Tanimë shkatërrimi është i pashmangshëm. Sistemi i kalbur e pret fanatizmin si mjet për të ngritur një sistem të ri.” ( Nexhet Toku, Sociologjia e Ibën Haldunit, , Logos a, Shkup, 2010, f.100).

Faza e pestë e shtetit të Ibën Haldunit, lidhet përmes shumë nënfazave e ku përfshin edhe shtetin e Maqedonisë.

Shteti fillon të degjenerohet dukshëm- Secili banor i Republikës së Maqedonisë këtë nënfazë e përjeton në lëkurën e tij. Ai e sheh degjenerimin e shtetit haptas. Sidomos aferat e pandalshme të fundit, të cilat po krijojnë dhe thellojnë kriza të reja, po nxjerrin në pah degjenerimin e Republikës së Maqedonisë. Banori i saj, nuk mund të mbështetet dhe të shpresoj në kapacitetet institucionale të këtij shteti. Atij i ka humbur shpresa se gjërat e tij mund të zgjidhen për të mirë.

Autoriteti politik po punon për interesa vetjake- Degjenerimi i dukshëm i shtetit, këtë fenomen e ka bërë normal në secilin skaj të këtij vendi. Secili njeri, tashmë e di se kjo gjë është normale dhe e pranueshme. Ai kujton se sikur edhe ai të vijë në pushtet, do të ketë mundësi që të mirat që afron pozita politike t`i shfrytëzoj për interesa personale. ‘ Bombat’ e Zoran Zaevit nxorën në pah një bisedë të pakëndshme por që përshkruajnë një realitet, midis ministres së punëve të brendshme Gordana Jankullovska dhe ministrit të financave Stavrevski, ku bëhet intervenimi për t`u futur në punë një e njohur e ministres. Akuzat e fundit ose mbrojtja e partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, nuk po bëhet përmes demantimit të argumenteve të LSDM-së, me argumente, por përmes gjetjes së përfitimeve materiale ose gjurmimit në sfera private të anëtarëve të LSDM-së. Këto akuza dhe kundër akuza, po na bëjnë të dyshojmë edhe në sinqeritetin e LSDM-së.

Punët e rëndësishme po u lihen në dorë njerëzve të paaftë- Kjo dukuri është parë ose dukur, sidomos pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së. E dimë periudhën kur ministër i punëve të jashtme të Maqedonisë, një posti kyç në Maqedoni ishte Antonio Milloshovski, i cili përmes porosive të ndryshme në maica tentonte që të sensibilizoj opinionin e jashtëm për kontestin rreth emrit midis Maqedonisë me Greqinë. Po ashtu, edhe ministri i tanishëm i punëve të jashtme Nikolla Poposki, ka ardhur prej rrethanave dhe kushteve të panjohura deri më tani, në një pozitë të rëndësishme për shtetin, prej të cilit pritet më shumë pjekuri politike dhe urtësi diplomatike për t`i zgjidhur problemet esenciale të jashtme që ndikojnë dukshëm për mbijetesën e popujve në Maqedoni.

Maqedonia, sipas opozitës maqedonase, asnjëherë nuk ka pasur kryetar shteti më të paaftë dhe më të dobët sesa tani. Edhe vet kryeministri Nikolla Gruevski në një intervistë për Tv Sitel, patë thënë se Gjorgje Ivanov ka filluar të mësohet.

Shteti s`arrin t`u dal me krye harxhimeve- Kjo gjë po shihet prej qiellit të shtatë. Maqedonia ka një borxh të jashtëm, të cilin prej këtij viti duhet që të filloj ta kthej. Përveç kësaj, ajo ka probleme esenciale në sistemin pensional, ku në kushte normale pesë të punësuar duhet që ta mbulojnë një pensionist, ndërsa sot 1.7 të punësuar e mbulojnë një pensionist. Gjitha elementet e ekonomisë janë shtrënguar aq shumë, saqë ky vend nuk ka arritur dhe nuk po arrin që të prodhoj asgjë.

Taksat dhe borxhet shtohen- Ligji i fundit për honorarët e dëshmon këtë. Po ashtu këtë gjë e dëshmojnë edhe ndryshimet në arsimin e lartë, ku janë parashikuar shumë dënime dhe mënyra të ndryshme të vjeljes së parave nga qytetarët. Edhe në sferën e sigurimit publik, nga ana e ministrisë së punëve të brendshme kanë filluar që të shtohen dhe shtrëngohen rrethanat në dëm të popullatës dhe në dobi të shtetit.

E drejta politizohet dhe keqpërdoret- Gati të gjitha raportet e Bashkimit Evropian, Maqedoninë e kritikojnë në sferën e drejtësisë. Ka shumë raste të montuara politike ekzistuese, dhe raste tjera të cilat po përgatiten të dalin në shesh. Përmes politizimit të drejtës, krijohet padrejtësi ndaj etniteteve të ndryshme që ekzistojnë në këtë vend, por edhe ndaj oponentëve politik. Rasti i fundit ‘ Puç’ është një dëshmi e gjallë që tregon për politizimin e të drejtës dhe keqpërdorimin e saj.

Shkatërrimi është i pashmangshëm- Ky sistem i tanishëm politik në Maqedoni, sipas parashikimeve të Ibën Haldunit është para shkatërrimit. Ky sistem i kalbur, duhet që të zhduket për t`u ngritur një sistem i ri.



No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...