Wednesday, April 8, 2015

Dyfytyrësia e Ivanovit

Hamdi Nuhiju


Titulli është shumë i ngushtë për të shprehur dyfytyrësinë politike që mbretëron në Republikën e Maqedonisë. Janë akumuluar aq shumë momente dyfytyrësie politike në vend që njeriu nuk e di se prej cilës anë të filloj. Por, megjithatë, Ivanovi është tharmi që mbledh të gjithë atë potencial dyfytyrësh në tërë politikën ose garniturën udhëheqëse në vend.


E vërteta e Gjorgje Ivanovit prej në fillim të karrierës së tij politike si shef i Republikës së Maqedonisë ose kryetar i këtij shteti është e zymtë. Ai u kontestua nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe u mbështet fuqishëm nga ana e strukturave të Partisë Demokratike Shqiptare. Në këtë formë ai u bë kryetar i Republikës së Maqedonisë.

“Në lidhje me zgjedhjet Presidenciale, kryetari Ahmeti ritheksoi rëndësinë e idesë së BDI për President konsensual dhe nënvizoi që BDI do të kontestojë legjitimitetin e një Presidenti të zgjedhur pa votat e shqiptarëve, pa marrë parasysh a do të jetë fituesi nga VMRO DPMNE ose LSDM.

“Pozita e BDI-së në lidhje me zgjedhjet Presidenciale është shumë e qartë dhe nuk do të cenohet nga vendimi i PDSH-së për të propozuar një kandidati shqiptar për president. Ky vendim i opozitës shqiptare do të mbetet një përpjekje e dështuar në funksion të dhënies së legjitimitetit për procesin zgjedhor presidencial. Populli shqiptar me mospjesëmarrjen e vet në zgjedhjet presidenciale do ti përgjigjet këtij veprimi jo të sinqertë dhe që është në funksion të lëndimit të konceptit për konsensualitet i cili është në dobi të shqiptarëve dhe të të gjithë qytetarëve”, thuhet në kumtesën e BDI-së.”( Gazeta Lajm, 11 mars, 2014)

Në zgjedhjet presidenciale në vend, Gjorgje Ivanov, kandidat i VMRO-DPMNE-së zgjidhet kryetar i Republikës së Maqedonisë në mandatin e tij të dytë, pa votat e elektoratit të Bashkimit Demokratik për Integrim.

“VMRO-DPMNE dhe BDI shënuan fitore në zgjedhjet e djeshme parlamentare, ndërsa president i vendit u zgjodh kandidati i VMRO-DPMNE-së Gjorgje Ivanov”(Noa.al “ Gruevski-Ahmeti fitojnë zgjedhjet, presidenti Ivanov merr mandatin e dytë” 28.04.2014)

Ideja e Bashkimit Demokratik për Integrim për kandidat konsesual nuk u pranua. Ajo u refuzua nga VMRO-DPMNE-ja por edhe nga Partia Demokratike Shqiptare.

Rizgjedhja e Ivanovit për president nuk ishte në dobi të shqiptarëve. Ai si i kontestuar prej shqiptarëve, nuk gjeti forcë dhe vullnet që të marr pjesë në asnjë rajon shqiptar të Maqedonisë, të inauguroj ndonjë shkollë, spital ose rrugë, ose edhe të festoj bashkë me to ndonjë festë të rëndësishme kombëtare ose fetare. Por, përkundrazi rroli i tij destruktiv ndaj shqiptarëve u pa në shumë momente kyçe duke luajtur rrolin e zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj Nikolla Gruevski.

Skena politike në Maqedoni është e mbushur me afera të llojeve të ndryshme. Ato kanë kulmuar me votuesit fiktiv të cilët gjithmonë i kanë siguruar fitore kandidatëve maqedonas në Kërçovë, në Strugë , në Dollnen, në Mavrovë etj. Për votuesit fiktiv të Pustecit dihej vetëm provincialisht, ndërsa botërisht u mor vesh pas shpërthimit të ‘bombave’ të liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev. Ideja ishte që përmes marrjes së letërnjoftimeve në mënyrë të paligjshme ata persona erdhën që t`i mbushin kutitë e votimit gjithmonë aty ku ka pasur nevojë makineria votuese maqedonase që gjendej në pushtet.

“Prej sot fillojmë të paraqesim argumente për manipulime zgjedhore të cilat nuk janë shënuar as në suaza botërore. Janë shpërndarë letërnjoftime të falsifikuara, janë dënuar biznesmenët, taksistët, bujqit. Ka pasur edhe kërcënime ndaj personave se familjet e tyre do të përfundojnë në hendek. Do të dëgjoni bisedë mes Jankullovskës dhe Gruevskit se në banesa prej 40 katrorëve janë vendosur qindra votues nga Pusteci dhe Sveti Nikolla që janë evidentuar dhe kanë votuar në më shumë adresa”, theksoi Zoran Zaev ( Telegrafi, “Bomba e radhës e Zaevit për keqpërdorime në zgjedhje”, 06.03.2015)

Javëve të fundit presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorgje Ivanov në suaza të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri i bëri një vizitë edhe banorëve të Pustecit. Me këtë rast ky person u zgjedh qytetar nderi i Pustecit, ndërsa partia maqedonase e cila udhëheq me Pustecin është futur në koalicion me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen me 21 qershor të këtij viti.

“Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i bërë kryetar pa votat e shqiptarëve të Maqedonisë, u shpall qytetar nderi i Komunës së Pustecit, në Shqipëri”( “Ivanov u shpall qytetar nderi në Shqipëri”, 3 prill 2015, Agjencia e Lajmeve Zhurnal)

Zgjedhja e Ivanovit si qytetar nderi i Pustecit mund të interpretohet si një dhuratë ndaj maqedonasve që votuan pro VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale, parlamentare e presidenciale në vend duke dëmtuar shqiptarët e Strugës, Kërçovës e vendeve tjera. Sikur duan t`i thuan Ivanovit faleminderit që je si një mjet për t`i tërbuar shqiptarët e Maqedonisë për t`i bërë të huaj në vendin e tyre.

Por trajtimi i Ivanovit nuk është i keq vetëm ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Në trajtimin e tij special futen edhe komunitetet tjera pakicë që jetojnë në këtë vend, duke përfshirë edhe romët të cilët janë të diskriminuar në mënyra të ndryshme.

Edhe pse Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka ngritur një iniciativë ose një Dekadë të romëve në vend për t`i avancuar ato në shoqëri, prapë se prapë pozita e tyre në shoqëri është tejet inferiore, madje e papërfillshme.

“Përfshirja e fëmijëve romë në procesin arsimor është nje problem serioz, me të cilin përballen institucionet në Maqedoni. Në kuadër të Ministrisë së Arsimit funksionon Drejtoria për avancimin e arsimit të bashkësive të vogla etnike . Përfaqësuesi i kësaj drejtorie, Rexhep Çupi , thotë se me iniciativë të ndërkombëtarëve, në Maqedoni po realizohet projekti “Dekada e romëve”.( “Masat për arsimimin e romëve në Maqedoni japin rezultate”, Yll Press, 12.02.2010)

Nga dekada në fjalë nuk janë të kënaqur vet romët të cilët shprehin shqetësimet e tyre për sjelljen e institucioneve shtetërore kur këto kalojnë kufirin, kur shkojnë në mjek, ose edhe kur kanë nevojë të arsimohen.

Situata e urrejtjes ndaj romëve doli në pah me “bombat” e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev, ku ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankulloska për romët shprehet në formë ofenduese si cigani dhe thotë se ato i tërheq për veshi.

Kundër Jankulloskës është deponuar edhe një padi penale nga Samka Ibraimoski njëri prej liderëve rom në Maqedoni.

“Samka Ibraimoski, lider i Partisë për emancipim të tërësishëm të Romëve, paralajmëroi padi penale kundër ministres Gordana Jankulloska, për shkak se në bisedën telefonike që e publikoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, për të cilën vërtetohet se midis saj dhe deputetit Slave Gjoshev, nga incizimet audio dëgjohet zëri femëror se do t`i ngre “Ciganët për veshë për të votuar për VMRO-DPMNE-në”.(“ Jankulloska do të ndiqet penalisht nga romët”, 10.03.2015, Agjencia e Lajmeve Zhurnal)

Fyerja që i bën Jankulloska romëve të Maqedonisë nuk u dënua nga presidenti i vendit, por ai duke vendosur të heshtë përsëri ka treguar vasalitetin e tij ndaj Nikolla Gruevskit dhe partisë në pushtet VMRO-DPMNE-së.

Heshtja e Ivanovit d.m.th. miratim i fyerjeve të ministres së punëve të brendshme të Maqedonisë Gordana Jankulloskës dhe gjuhës së saj urrejtëse ndaj romëve.

Në anën tjetër, me rastin e ditës ndërkombëtare të romëve, me 8 prill 2015, presidenti i vendit Gjorgje Ivanov i uroi romët për ditën e tyre duke dhënë mesazhe që në pamje të parë janë të rëndësishme, por në anën tjetër rëndësia e tyre është vetëm nxjerrja në pah e fytyrës së vërtet të tij.

"Romët janë qytetarë lojalë të Republikës së Maqedonisë dhe bashkë me qytetarët e tjerë kontribuojnë për zhvillimin dhe për demokracinë në të. Jam i bindur se edhe në të ardhmen, si edhe deri më tani, bashkërisht do të veprojmë drejt ndërtimit të mundësive të barabarta për të gjithë, duke e respektuar parimin e barazisë, jo diskriminimit, duke e promovuar mbrojtjen e së drejtave dhe qeverisjes të së drejtës", thotë Ivanov në urim.(“ Urim nga presidenti Ivanov me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve”, Agjencia e Lajmeve Mia, 7 prill 2015)

Nëse romët do të ishin qytetar lojal të Republikës së Maqedonisë, atëherë nuk ka nevojë ato të diskriminohen dhe të jetojnë në margjinat e shoqërisë në Maqedoni. Thjeshtë duhet liruar veten prej paragjykimeve dhe trajtuar ato në mënyrë të barabartë, nëse do ta ndjente veten Ivanovi si kryetar të tërë Republikës së Maqedonisë.

Me këtë rrugë që ka zgjedhur ai, po tregon vet se nuk është kryetar lojal i Republikës së Maqedonisë, por një figurë politike në duart e liderit të partisë në pushtet VMRO-DPMNE-së.





No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...