Tuesday, August 25, 2015

Të politizosh me emigrantët

Hamdi Nuhiju

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për shpalljen e gjendjes së krizës në kufirin jugor dhe verior të Maqedonisë, i sjell me 19 gusht të këtij viti është njëri prej vendimeve më të palogjikshme gjatë këtyre viteve të fundit. Po nëse kemi parasysh vendimet e shteteve tjera si ai i Hungarisë për të ndërtuar mur për të mos pasur mundësi emigrantët për t`u futur në vendin e tyre, ky vendim është i “pranueshëm”.


Fatkeqësia e emigrantëve sirian është fatkeqësi njerëzore e rrjedh prej dorës së njeriut, me fajin e njeriut nga të katër anët e globit. Nuk mund të akuzohet vetëm ajo copë toke dhe të konsiderohet si problem i brendshëm i Sirisë, kur dihet mirëfilli shurdhimi i botës ndaj kërkesave të sirianëve, si dhe vazhdimi i konfliktit të armatosur deri në shfarosje të shumë qyteteve të Sirisë.

Bota e cila në vokabularin e sotëm po quhet e civilizuar ka mbyllur sytë përballë kësaj fatkeqësie duke qenë vet shkaktare e saj.

Sido që të jetë, kriza e emigrantëve sirian ka kapluar edhe këtë copë të vogël të Maqedonisë, duke krijuar sfida të reja në politikbërjen e këtushme. Elitat politike maqedonase si duket po tentojnë që të përfitojnë nga Fondet e Bashkimit Evropian me këtë rast, por edhe indirekt po mbrojnë interesat e njerëzve që kanë pëfitime materiale nga kriza e emigrantëve sirian.

Para disa kohësh emigrantëve sirian iu ndalohej me ligj që të futeshin në Maqedoni dhe prej këtu të niseshin për në Serbi. Në atë periudhë lulëzonte trafikimi i qenieve njerëzore, ndërsa Maqedonia bëhej e shurdhër dhe pa sy karshi argumenteve bindëse që ndodhnin në territorin e saj. U deshtë që njerëzit e letrave të futen në grevë urie deri në sjelljen e ligjit i cili emigrantëve sirian po edhe të tjerëve i lejon 72 orë qëndrim në Maqedoni deri në vendosjen e tyre përfundimtare, qëndrim përfundimtar në Maqedoni ose largim prej Maqedonisë.

Shpallja e gjendjes së krizës e egërsoi policinë maqedonase e cila përdori forcën ndaj emigrantëve të pafajshëm të cilët lënë me qindra euro halli në Maqedoni. Hekurudhat e Maqedonisë përdorën një politikë të dyfishtë në vendosjen e çmimit të biletave për emigrantët dhe për banorët e Maqedonisë. A nuk është kjo diskriminim politik, ekonomik dhe social ndaj njerëzve të pafajshëm të cilët po e përdorin Maqedoninë si transit për të ikur në Evropë? Kjo gjë është njëjtë sikur shqiptarët, maqedonasit, boshnjakët e të tjerët të iknin nga dhuna e Gruevskit në ndonjë vend Evropian dhe atje shërbimet e transportit publik të paguheshin dyfish?!

Organizatat e shumta humanitare të cilat dikur nuk kishin mundësi t`i dilnin në ndihmë emigrantëve sirian tash po e tregojnë veten në vepër. Po të mos ekzistonin ata si një dritë shprese në këtë turbullirë, me siguri se fotografia ose imazhi i Maqedonisë në trajtim ndaj emigrantëve do të ishte tejet çnjerëzor.

Maqedonia duhet të turpërohet nga vendosja e gjendjes së krizës në kufirin e saj jugor dhe verior edhe përskaj asaj që sipas logjikës së tyre u arrit qëllimi, me reagimin e ministrisë së punëve të jashtme të Kroacisë, të Francës dhe vizitën e ministrit të punëve të jashtme të Austrisë.

Ajo urgjentisht duhet që të ngrit një kamp refugjatësh në jug dhe veri të Maqedonisë duke i siguruar një tretman minimal human këtyre njerëzve të cilët pa dëshirën e tyre e lëshuan vendlindjen ngaqë nuk e duan dhunën dhe luftën e ikën  në një rrugë të pakuptimtë. Disa prej tyre në deklaratat e tyre për mediat e këtushme u shprehën  se nuk e duan dhunën, luftën dhe vendin e tyre.

Ata kanë ikur prej atij vendi ngaqë gjithçka atje është e padurueshme. Ndërsa një grup tjetër emigrantësh, kur kanë parë sjelljen e policisë dhe institucioneve maqedonase ndaj tyre, kanë lypur që të kthehen përsëri në Siri.

Banorët e këtushëm i mbajnë mend mirë skenat e tilla kur nënat me fëmijë ecnin nga Gjevgjelia e në Tabanoc në këmbë. Bënte ftohtë, binte shi, ata nuk ndalonin rrugën e tyre drejt lirisë. Disa prej tyre edhe u mbytën fatkeqësisht nga treni.

Skenat e tilla të bëjnë të turpërohesh për ekzistencën tonë si qenie njerëzore pa shpirt.  Të shohësh me sy njerëz që vuajnë dhe të pengohesh nga shteti jot i cili quhet shtet demokratik, kjo me të vërtet është një ide diktatoriale. Vetëm sistemet totalitare nuk lejojnë që njerëzve të përvuajtur t`i ndihmohet. Edhe nëse detyrohen me leshu pe, ata lëshojnë pe nën rrethana të tyre, duke krijuar gjendje të krizës, duke krijuar probleme të njëpasnjëshme të cilave nuk i dihet fundi.

Sjellja e këtillë e elitave politike maqedonase ndaj emigrantëve sirian, e detyroi kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari që të reagojë. Sipas saj ky lloj i politikës duhet sanksionuar.

Duhet sanksionuar edhe ideja e qëndrimit gjithmonë indiferent ndaj problemeve të cilat na rrethojnë. Nëse nuk kontribuojmë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme në shoqëri, së paku të mos qëndrojmë indiferent. Qëndrimi indiferent nënkupton se një ditë problemet e tilla mund të bien mbi kokën tonë dhe të tjerët do të qëndrojnë indiferent ndaj nesh. Atëherë do të bëhet vonë për të kuptuar mos veprimin tonë drejt ndihmës e cila është e domosdoshme për këto qenie njerëzore.

Fytyra që paraqesin disa individ duke paragjykuar për fenë e emigrantëve, por edhe shtete si Sllovakia është thjeshtë e mira e gjithë kësaj fatkeqësie. Së paku e dimë se kush jeni dhe me kënd kemi pune.


No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...