Hamdi Nuhiju
Komuna e Likovës e harruar tërësisht nga pushtet në Republikën e Maqedonisë,
të kaluara dhe të tanishme, po mbijeton në saje të remitencave që merr nga mërgimtarët
shqiptar. Në këtë komunë nuk ka as kanalizim, as sistem të ujësjellësit, e as
infrastrukturë të nevojshme për t`u zhvilluar ekonomia, bujqësia e të mos
flasim sektor industrial që nuk vijnë parasysh.
Hapja e vendkalimeve kufitare me Kosovën dhe Serbinë, do t`i mundësonte Komunës
së Likovës së paku një zhvillim infrastrukturor dhe zhvillimin e të mirave dhe shërbimeve
që do të lenin sasinë e duhur për mbijetesën ekonomike të popullatës së Komunës
së Likovës.
Ajo që bie në sy nga të gjithë njerëzit është se Komuna e Likovës nuk është
harruar vetëm nga politika dhe politikanët që duhet të kujdesen për të, por
edhe nga popullata e përgjithshme shqiptare në Republikën e Maqedonisë.
Kjo gjë dëshmohet me atë se asnjëherë nuk përmendet ajo, nuk flitet për të
për të mirë e as që kërkohet ndonjë e drejtë për to nga shqiptarët jashtë kësaj
komune.
Dy maji së paku i këndelli këto njerëz, kjo datë e rëndësishme e kombit
shqiptar ia bëri me dije shqiptarëve jashtë Komunës së Likovës se ekziston një
komunë me rreth 40.000 banor shqiptar, që nuk ka asnjë investim direkt të huaj,
nuk ka tagra të veta, nuk ka ekonomi të zhvilluar, nuk ka bujqësi të zhvilluar,
nuk ka spital të vetin, nuk ka repart gjinekologjik e as që ekzistojnë drejtoritë
e inspektorateve shtetërore në këtë komunë.
Nga dukja dhe gjendja e tanishme, duket sikur Komuna e Likovës nuk është
formuar si komunë për të zhvilluar popullatën dhe këtë pjesë të Maqedonisë, por
për të mjelë popullatën e kësaj ane, varfëruar dhe robëruar në dobi të qytetit
të Kumanovës dhe qyteteve tjera përreth. Është e frikshme kur e kujton se
Komuna e Likovës ka një sistem të bursave për studentët më të mirë, me një numër
minimal studentësh, të papërfillshëm dhe nuk ka strategji zhvillimi që do t`i mundësonte
popullatës së kësaj ane të mbijetoje në kushtet e ekonomisë së tregut.
Fatkeqësisht për Komunën e Likovës politikanët shqiptar dhe popullata jashtë
Komunës së Likovës kujtohet vetëm kur ka ndonjë festë përkujtimore të shpalljes
së zonës së lirë, për heroizma, luftë, ushtri dhe shkatërrime, ose çlirim të
qyteteve tjera dhe shqiptarëve jashtë Komunës së Likovës, ndërsa varësi totale
të kësaj komune në qytetin e Kumanovës.
Liberalizimi i vizave për Maqedoninë ishte një indikator kyç për të treguar
mjerimin se ku jetojnë dhe si jetojnë shqiptarët e Komunës së Likovës. Në atë
kohë përveç romëve të Shuto Orizari dhe shqiptarëve të Komunës së Likovës të
cilët nga diskriminimi i të gjitha llojeve u detyruan që të lëshojnë vendet e
tyre për të kërkuar azil në Belgjik, nuk u hetua një lëshim i tillë i trojeve
nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, etj. Kjo gjë na bën me
dije se përbërja e re qeveritare urgjentisht duhet që t`i ktheje sytë kah
Komuna e Likovës përmes investimeve direkte që do të krijonin vende të reja të
punës. Nuk bën që të luhet me fatin e këtyre njerëzve të cilët gjatë luftës së
2001 përjetuan atë që shqiptarët e Strugës, Dibrës, Gostivarit e qyteteve tjera
nuk e përjetuan. Ndërsa pas luftës së 2001 e këndej, të gjitha punësimet në administratën
shtetërore, dhe investimet e pakta që janë bërë nga ndikimi i politikës, asnjë nuk
është bërë në Komunën e Likovës.
No comments:
Post a Comment