Hamdi Nuhiju
Ndodhin keqkuptime të ndryshme midis njerëzish të cilat nyjën e kanë te
kuptimi ose keqkuptimi i gjërave. Disa njerëz gjërat e vogla në këtë botë i
shohin tejet të mëdha, ndërsa ato të mëdhatë i minimizojnë, ia ulin vlerën dhe
nuk i hetojnë fare. Të tjerët, merren me gjërat e mëdha duke anashkaluar gjërat
e vogla dhe duke i krijuar probleme të një pas njëshme vetvetes dhe shoqërisë.
Në këtë botë ka gjëra të mëdha dhe të vogla. Ekzistojnë realitete. Jemi ne.
Por, lidhja midis njerëzve nuk duhet që të ndodh nga interpretimi i koncepteve
dhe jetës. Paramendoni të njoftohem me realitetin tënd përmes interpretimit të
dikujt tjetër? Madje edhe përmes interpretimit tënd? As t`i nuk mund ta
interpretosh realitetin tënd si duhet. Këto janë procese të cilat ndodhin, dhe
njeriu duhet ta trajnoje vetveten që të jetoje me to dhe t`i nuhas realitetet pa pasur nevojë për ndihmën
e interpretimit. Dhe kjo gjë ka të bëjë me raportet njerëzore-shoqërore, e nuk
po flasim për dijet e ndryshme shoqërore, shkencore, metafizike etj.
Bota e interpretimeve ka shkatërruar bashkëpunimin dhe bashkëjetesën midis njerëzve.
Kjo gjë ndodh kështu nga arsyeja e egos që gjendet te ne. Nuk mund të pretendojmë
se kemi shkatërruar egon, jemi shndërruar në krijesa tjera pa ego dhe tash po
kuptohemi me telepati pa u ndikuar aspak nga interpretimet.
Shekulli në të cilin po jetojmë është ai i informacioneve, të përpunuara e
pa përpunuara. Ai grup, ajo forcë, ai shtet, ai njeri që i posedon informacionet
i pari, gjendet një hap para të tjerëve, ka krijuar një realitet të tij, të
cilin të tjerët e interpretojnë para se ta kuptojnë.
Interpretimet e informacioneve, të njëjtat i shndërrojnë në dezinformacione
përmes të cilave manipulohen njerëzit, shtypen popujt, shkelen të drejtat. Nëse
realiteti yt është jetesa me probleme të natyrave ekonomike, realiteti i tjetërkujt
është jetesa me probleme të natyrave shpirtërore. As ti dhe as tjetri nuk jeni
pa një realitet, përderisa ekzistoni.
Të kuptosh realitetin e tjetrit është tejet e rëndë. Gjendja e këtillë
huton mendjen, sepse ne po tentojmë që t`i ikim vetvetes dhe të strehohemi te
llafosja për personalitetin, dinjitetin dhe po e vëmë në peshoje integritetin e
tjetrit.
‘Ai nuk është njeri i mirë’, kjo frazë shpesh herë përdoret nga ne me vend
e pa vend, para se me peshuar vetveten se sa ne jemi njerëz të mirë.
‘Ai po e humb kohën kot’, ndërsa ne po merremi me të që po humb kohën kot
duke harruar vetveten se jemi futur në kthetrat e djallit të mallkuar, i cili,
kohën na ka kthyer kundër nesh.
‘Ajo nuk është e moralshme’, e morali jonë qenka në kulmin e ekzistencës që
po gufon në katër anët e botës si katër lumenj të mëdhenj që rrjedhin
vazhdimisht.
A nuk e kemi parë me sytë e tonë transformimin e njerëzve, të rinj të dikurshëm
që dëgjonim duke folur fjalë të pahijshme, dhe sot të njëjtit i dëgjojmë duke
na thënë:’ Mos fol fjalë të pahijshme për nderin e vajzave’?!
Bota e ka një të mirë në mesin e shumë të këqijave: transformohet. Me rëndësi
është fundi i çështjeve.
No comments:
Post a Comment