Wednesday, August 3, 2016

Sinqeriteti midis koherencës dhe devocionit

Hamdi Nuhiju
Qasje fillestare
Shpesh herë besojmë se sinqeriteti bie ndesh me vetëdijen e njeriut në momentet më kritike kur ai është në gjendje për të mos kuptuar ekzistencën dhe mënyrën e jetesës. Harrohet në vlerësimin e vetvetes dhe veprave që duhet bërë e kryer gjatë kohës ku Allahu i ka dhënë mundësinë për ta realizuar misionin e tij.

Sinqeriteti ndoshta fshihet në mënyrat se si veprojmë me familjen dhe shoqërinë, e ai del në pah në momentet e kundër reagimit, ose reaksionit nga ana tjetër. Njeriu lodhet, dhe në momente të caktuara di të thotë se është mjaft me logjikën e përdorimit të sinqeritetit në të mirë dhe shërbim të tjerëve. Mirëpo, nënvetëdija i flet duke e qortuar praktikisht për të mos u futur në kthetrat e djallit të mallkuar.
Sinqeriteti duhet që të jetë në harmoni me koherencën dhe devocionin e njeriut. Po qe se bie ndesh midis tyre, atëherë nga njeriu ka ngel një skelet i gërditshëm i cili nuk vlen as për t`u pasuruar vetëdija shoqërore, por as edhe për të përmbushur shpirtin me moral.

Të kuptuarit e sinqeritetit
Është gjë e frikshme premisa e kuptimit të sinqeritetit në kohën që po jetojmë. Arsyeja e këtij konkluzioni është keqkuptimi i termit që lidhet me veprimin e njeriut në aspektin individual dhe shoqëror.
Shejhul Islam Ibën Tejmije , Allahu e mëshiroftë, vlerëson se adhurimi i sinqertë është baza e fesë islame, dhe pikërisht për këtë gjë, vazhdon konkludimin Tejmije, syefaqësia është e qortuar me disa ajete të Kur`anit.[1]
D.m.th. e kundërta e sinqeritetit është syefaqësia. Nëse e shohim këtë gjë në prizmin praktik mund të kuptojmë shumë lehtë se ekziston një vijë shumë e hollë ndarëse, dalluese midis sinqeritetit dhe syefaqësisë. Kjo gjë rivlerësohet ose rigjenerohet sidomos kohët e fundit të zhvillimit tekniko-teknologjik kur po ndodh një përzierje e qëllimshme midis veprës dhe fjalës, sinqeritetit dhe syefaqësisë.
Në këtë kohë njerëzit kryesisht po kryejnë veprime të cilat janë të dukshme dhe po e masin pulsin e sinqeritetit të tyre përmes pëlqimit ose reagimit të njerëzve tjerë. Po qe se mungon ky sistem matjeje pulsi, njerëzit po bëhen të pazë dhe indiferent ndaj veprimeve pozitive.
Fatkeqësisht në kohët moderne vetëm punët negative po fshihen nga opinioni, ndërsa botëkuptimi islam sqaron se punët më të dobishme janë ato që bëhen fshehtë, që dora e majtë nuk e sheh se çka ka dhënë dora e djathtë.
Edhe rruga në kundërshtim me nefsin me synimin e shkatërrimit të saj është e gabuar dhe një lloj syefaqësie e cila krijon dembelizëm për shpirtin dhe trupin e njeriut.
Shejhul Islam Jusuf el Kardavi vlerëson se e vërteta e adhurimit nuk ka të bëjë me formën e jashtme, por është një sekret që lidhet me zemrën.
Është ai sinqeritet, vazhdon Kardavi, që buron nga shpirti dhe nëse zemra e muslimanit nuk e vërteton këtë sinqeritet ndaj Allahut të Madhërishëm në adhurimin dhe bindjen ndaj Tij, por e kryen atë thjeshtë si formë dhe paraqitje pa shpirt brenda, si budallai që thotë fjalë pa ua ditur kuptimin, atëherë ky adhurim do t`i kthehet mbrapsht e nuk do t`i pranohet nga Allahu i Madhërishëm, ashtu siç bën edhe specialisti i monedhave me monedhat false.[2]
Vendi i sinqeritetit qenka zemra, ndërsa zemra është organi më manipulues në trupin e njeriut. Për njeriun themi se është i dobët ose i fort duke u bazuar në atë se si ai menaxhon me zemrën e tij. A e vënë në shërbim të dobishëm, apo ndoshta e dobëson vetveten dhe shoqërinë me të?

Keqkuptimi i sinqeritetit
Materializmi modern ka skllavëruar njeriun duke e bërë një qenie tërësisht materiale dhe pa shpirt. Mënyra e tij e jetesës, përballja me probleme esenciale në jetë, qasja ndaj vetvetes dhe shoqërisë është lidhur nga filozofia e materializmit, edhe përskaj asaj se ai ndoshta i përket një shkolle ose religjioni të caktuar.
Kjo mënyrë jetese krijon probleme në të kuptuarit e sinqeritetit dhe vendit të tij. Njerëzit sinqeritetin e largojnë nga vendi i tij që është zemra dhe e vendosin në materie ose para.
Bota moderne për keqkuptimin e sinqeritetit fatkeqësisht ende bazohet te teoricienti Karl Marks dhe vepra e tij Kapitali.
Karl Marks mallrat i definon si lëndë, gjëra të cilat përmes rrolit të tyre i plotësojnë nevojat e njerëzve. Sipas tij, nuk ka rëndësi natyra e këtyre nevojave, për shembull të nxitura nga stomaku ose nga fantazia.[3]
Stomaku ose fantazia e njeriut lidhen vetëm me nevojat materiale duke urryer dhe shpallur luftë atyre shpirtërore.
Nevojat esenciale të njeriut, të kuptuara në këtë formë, lejojnë përdorimin e të gjitha mjeteve për të arritur deri tek qëllimi-plotësimi i tyre. Dhe kjo mënyrë e të kuptuarit të nevojave dhe kërkesave të njeriut krijon keqkuptimet bazë të sinqeritetit dhe devijon rrugën e besimtarëve nga të kapurit për Kur`anin dhe Sunnetin e Pejgamberit Muhammed alejhi selam.

Qasje përfundimtare

Thuajse nuk ka libër që është përmbledhje me thëniet e Pejgamberit Muhammed alejhi selam e që nuk nis me hadithin e tij se ‘Veprat shpërblehen sipas qëllimit’.
Ka thënë Pejgamberi Muhammed alejhi selam: “Veprat vlerësohen sipas qëllimit dhe se çdokujt i takon ajo që e ka pasur për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet ( bën hixhret) për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërkaq, shpërngulja e të cilit është të fitojë disa të mira të kësaj bote, ose të martohet me ndonjë femër, i atilli nuk do të fitojë tjetër përveç ka ka pasur qëllim”.[4]
Allahu xh.sh. në Kur`anin Famëlartë thotë: “ Thuaj vetëm Allahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim”[5]
Sinqeriteti është anija e besimtarit musliman. Nëse në të hapet një vrimë, atëherë nuk përmbytet vetëm ai, por përmbyten të gjithë udhëtarët që gjenden me të, duke nisur nga veprat e mira, fjala e mirë, si dhe mbjellja e fidaneve të shpresës dhe dëshirës për të ringritur vetveten në piedestalin më të lartë moral.
Edhe në kohën që po e jetojmë, ai ka nevojë për t`u kuptuar drejtë dhe pa u ngërthyer nga lajkatimet e teknologjisë dhe teorive materialiste.

[1]  Virtytet e larta morale, Shejhul Islam, Ibën Tejmije, Shkup, 2009, f.33
[2] Adhurimi në Islam, Jusuf el Kardavi, Shkup, 2011, f.174
[3] K.Marks-F.Engels Dela, Vëllimi njëzet e një, Beograd, 1977, f.43
[4]  Koment i dyzet haditheve të Imam Neveviut, Dr.Mustafa el Buga, Muhjidin Mistu, Shkup, 2003, f.13
[5]  Kaptina Ez Zumer, ajeti 14

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...