Hamdi Nuhiju
Nëse thua se nuk të ka ndodhur edhe ty ky fenomen, atëherë
nuk je i sinqertë. Nëse je njeri i thjeshtë, familjar me të ardhura që nuk të
lejojnë të posedosh veturë personale e di se çka po shkruaj.
Në këtë temë kam dashur të shkruaj disa herë. Por, jam ndalur
me qëllim që të mos e hidhëroj askënd. Sonte ishte kulmi. 6 taksi shqiptar me
veturat e tyre të zbrazëta qëndronin në kafene duke shikuar futboll, ndërsa unë
me gruan dhe dy fëmijë të vegjël, në këmbë duke pritur taksinë maqedonas që u
vonua 10 minuta.
Pastaj po thuan se fajet i ka Nikolla Gruevski se nuk po
na le me punua.
Po thuan, se fajet i ka BDI-ja se ata u bënë milionerë
dhe nuk po na lënë me punua.
Po thuan se fajet i ka lufta në Siri dhe Irak, ISIS-i. Por
askush nuk po e pranon se fajet i kemi vet. Përderisa nuk i përvjelkemi punës
vet dhe të punojmë me përkushtim, askush nuk mund të na zgjoj nga gjumi. Përderisa
nuk e respektojmë vetveten dhe klientët, të mos hidhërohemi kur klientët do të
kërkojnë rrugë alternative për të zgjidhur problemet e tyre.
Ky fenomen nuk është i pranishëm vetëm te taksitë fatkeqësisht.
Këtë mund ta hasim edhe te mjeshtrit shqiptar, te biznesmenët shqiptar,
shitoret, etj. Përderisa nuk e respektojmë klientin si të tillë, të mos
ankohemi në nazet e klientit dhe përcaktimin e tij për rrugët alternative.
Nacionalizmi karshi shërbimit cilësor dhe kaotizmit bie
poshtë. Nuk mund që të thirresh në baza të nacionalizmit dhe të futesh në
histerinë e kaotizmit. Punë pa rend, pa rregull, pa taban, punë sa për sy e faqe.
Jetë pa rregull, pa rend, pa taban, jetë sa për sy e faqe. Habitem se si po na
mban kjo tokë?!
Nëse unë kërkoj rrugë alternative për të gjetur zgjidhje
për problemet e përditshme nuk nënkupton se unë qenkam anti-shqiptar ose
anti-nacionalist. Ne jemi mësuar vetëm të gjykojmë dhe aspak ta pranojmë
realitetin me sy.
Ne nuk mund që t`i ndryshojmë gjërat, përderisa nuk e
ndryshojmë vetveten. Këtë gjë mund ta ilustroj shumë thjeshtë. Për shkak të mos
ndërtimit të një kapele në Tetovë, u çuan në këmbë afër 500 maqedonas për të
protestuar. Ne jemi pa punë, me rrugë të pa rregulluara, pa kanalizim, pa
sistem të rregulluar jete, me gjoba të larta dhe të padrejta as që e ngremë zërin
për të drejtat tona, por edhe kur na ofrohet mundësia për të punuar, më së pari
e zgjedhim kafenë për të shikuar futboll, sesa respektimin e punës, klientit
etj.
No comments:
Post a Comment