Hamdi Nuhiju
Spektri politik në
Republikën e Maqedonisë ka nisur që të tensionohet përmes formave dhe mënyrave
të cilat janë të ditura nga e kaluara, por kanë referenca të së tashmes dhe së
ardhmes së habitshme të një mish-mashi ose përzierje ideologjike të pakuptimtë.
Partitë garën e tyre parazgjedhore e kanë nisur moti kohë përmes pozicionimeve
të ndryshme si dhe strukturimit të tyre dhe formimit të fronteve e
koalicioneve. Ndoshta edhe para nisjes së betejës për pushtet, subjektet e mëdha
politike kanë pasur që të përgatitur skicat e veprimtarisë së tyre politike për
të arritur deri te synimi i tyre final, marrja e pushtetit me 11 dhjetor të këtij
viti.
Ideja e me çdo
kushti deri në pushtet, tek subjektet politike maqedonase do të dëmtoje shumë
interesat e shqiptarëve të Maqedonisë për shkak të përzierjes së rrymave dhe
krijimit të turbullirave dhe hutive të cilat munden që të krijojnë një vdekje të
ndërgjegjes kolektive të shqiptarëve. Mish-mashi ideologji që sot po duket tek
këto subjekte politike maqedonase, me disa vijëzime të vogla edhe tek subjektet
politike shqiptare do të ishte i pakuptimtë në një botë të globalizuar dhe
demokratike. Por, ekzistimi i tij jep të drejtën e konstatimit të mungesës së
demokracisë dhe vlerave të saj në Republikën e Maqedonisë.
VMRO-DPMNE-ja
tradicionalisht ka qenë e orientuar kah partitë turke, rome, boshnjake, serbe,
dhe torbeshët, maqedonasit musliman. Si parti e ka mbajtur veten jashtë ose ka
qenë përjashtuese ndaj shqiptarëve. Ndoshta me qëllim për shkak të mbijetesës së
saj politike dhe sundimit me Maqedoninë duke e përdorur kartën e nacionalizmit
vetëm kundër shqiptarëve, ndërsa kartën e ideologjisë me të gjitha etnitetet
tjera të cilat janë më të vogla se shqiptarët në Maqedoni. Në këtë mënyrë,
VMRO-DPMNE ka tentuar dhe tenton vazhdimisht që ta zbeh rrolin e shqiptarëve si
shtetformues në Republikën e Maqedonisë dhe në këtë mënyrë t`i mbaj nën
kontroll duke e përdorur logjikën përçaj e sundo.
Kjo politikë ose
strategji i ka sjell fitore VMRO-DPMNE-së gjatë cikleve të fundit zgjedhore dhe
si duket edhe në këtë betejë të re politike është nisur nga parimi dhe
strategjia e njëjtë e përdorimit të kartës së nacionalizmit vetëm ndaj shqiptarëve,
ndërsa përdorimit të vijës ideologjike ndaj etniteteve tjera pakicë në vend.
LSDM-ja opozitare
ka pasur kohë të mjaftueshme për ta lexuar këtë strategji të VMRO-DPMNE-së si
dhe përgatitjen e saj për ndryshimin e qasjes në pikën ku partia në pushtet
duket e fortë. Përveç lidhjeve të saja tradicionale me romët, turqit, serbët,
boshnjakët, torbeshët, maqedonasit musliman, LSDM ka vendosur në këto zgjedhje
parlamentare të paraqitet edhe me kartën e identitetit nacional shqiptar. Qëllimi
i vetëm është dobësimi i VMRO-DPMNE-së dhe ardhja në pushtet përmes kësaj vije
ku si antitezë e saj gjendet strategjia e partisë në pushtet.
Edhe strategjia e
Zaevit është lehtë e lexueshme dhe e kuptueshme për kërkuesit e fenomeneve politike
në vend, por vështirë e deshifrueshme në aspektin ideologjik. Ka mbledhur rreth
vetes njerëz dhe grupacione të vijave diametralisht të kundërta ideologjike që
krijojnë përshtypjen se edhe nëse e arrin synimin, arritjen në pushtet,
domosdoshmërisht ky mish-mash ideologjik i LSDM-së do të plas dhe përçahet. Ajo
që nuk e di as unë e as shqiptarët e Maqedonisë është se si do të janë pasojat
e përplasjes së këtij mish-mashi ideologjik të LSDM-së, ose më saktësisht kush
do t`i vuaje ato? Është e ditur se Zaevi ka përllogaritur mirë se pas marrjes së
pushtetit me çdo kusht, me një mish-mash ideologjik do të vije momenti i përçarjes,
dhe ai ka strategji politike dhe juridike për t`u përballur me pasojat. A do
t`i vuajnë përsëri shqiptarët pasojat e një përçarje të mundshme në LSDM? Përgjigjen
e kësaj pyetje do ta kuptojmë pas 11 dhjetorit.
No comments:
Post a Comment