Hamdi Nuhiju
Data 11 nëntor si datë e fundit e përpilimit të listave të
kandidatëve për deputet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të
mbahen me 11 dhjetor ka nxjerr në pah betejën titanike ose të pamundshme me
realitetin, vetveten, egon dhe të tjerët.
Partitë kanë bërë kalkulime të
ndryshme me figura të ndryshme të reja dhe të vjetra me qëllim që në zgjedhjet
me 11 dhjetor të dalin sa më bindës dhe me një llogari të votave pozitive që i
jep shpresa për mbijetesën në tregun politik.
Si pozita si opozita betejën më të vështirë e ka pasur në
përzgjedhjen e personave që do të bartin mesazhin e saj në periudhën parazgjedhore.
Në pah kanë dal edhe disa zëra të pakënaqësive të ndryshme te subjektet e
vjetra politike si dhe te partitë e reja politike për përfshirjen ose mos përfshirjen
në listat e kandidatëve për deputet.
Subjektet politike maqedonase kanë pasur pakënaqësitë e
tyre në lidhje me përzgjedhjen në lista të emrave shqiptar, si për shembull
garimi i ish gazetarit Muhamed Zekiri në listat e LSDM-së si dhe mungesa në këto
lista e anëtarit të hershëm të LSDM-së, Edmond Ademi. Por, si duket pazari
politik e ka veçuar Edmond Ademin si emër të mundshëm në përbërjen e re
qeveritare nëse eventualisht LSDM-ja opozitare fiton zgjedhjet që do të mbahen
me 11 dhjetor të këtij viti.
VMRO-DPMNE-ja ka pasur detyrime për heqjen e ish
funksionarëve të saj të përfshirë në hetimet e Prokurorisë Speciale Publike.
Emri i radikalit serb Dragisha Miletic ka shtuar pakënaqësitë
në LSDM, ndërsa ka afruar Stevce Jakimovskin në VMRO-DPMNE për shkak të
angazhimit të njëjtit në sulm ndaj Dragisha Mileticit si shtyllë e ardhshme e
koalicionit të LSDM-së.
Partitë e vogla jashtë parlamentare u detyruan që të
puthen me Shejtanin në këtë betejë të pamundshme dhe të palogjikshme deri në
fund të rrugëtimit të tyre të parë me emër dhe emblemë të re partiake.
Përveç temës së bashkimit dhe përçarjes së opozitës shqiptare
në Maqedoni, përcaktimi i elektoratit si turma ose grup militantësh që duhet të
nis luftë me të tjerët për mbijetesën në skenën politike të gladiatorëve është
evidente. Ish funksionarët politik në
listat e subjekteve të reja politike janë një hap jo i përshtatshëm dhe jo
shpresëdhënës për të ardhmen e shqiptarëve të Maqedonisë që janë të segmanterizuar
në grupe dhe sekte të ndryshme. Në rrethana
të këtilla pa dyshim se uji i turbullt ende më shumë do të turbullohet nga
kuzhinat antishqiptare në Ballkan që nuk duan të shohin shqiptarët të bashkuar
dhe të forcuar me qëllim që të njëjtit të mos kanë mundësi të ecin drejt hapave
të zhvillimit të ardhshëm kombëtar dhe ekonomik.
Zgjedhjet e 11 dhjetorit me rrethana të këtilla politike
të sulmeve ndërmjet partive politike shqiptare duken sikur një garë pa fitues
ose pa garues. Kjo datë do të nxjerr në pah planet antishqiptare e që do të ndikojnë
në uljen e numrit të deputetëve shqiptar në Parlamentin e Republikës së
Maqedonisë dhe uljes së faktorizimit të shqiptarëve në vend.
Të puthesh me Shejtanin nuk është e lehtë. Mirëpo në
rrethana të këtilla t`i ikësh përballjes me Shejtanin është gjë ende më e vështirë.
No comments:
Post a Comment