Tuesday, August 15, 2017

Koha e zgjedhjeve lokale partitë po kërkojnë popull-votë, po populli çka po kërkon?!

Hamdi Nuhiju

Data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale është caktuar me 15 tetor të vitit 2017. Partitë politike në mënyrë intensive po punojnë në terren për të tërhequr sa më shumë votues dhe për t`i fituar komunat ku ato janë duke aderuar.
Qëllimi i subjekteve politike s
hqiptare dhe maqedonase është që të ruajnë pozicionet e tyre të pushtetit lokal, por edhe të zgjerojnë nga pushteti i tyre duke ndryshuar struktura udhëheqëse aktuale.
Janë bërë matematika të ndryshme për këto zgjedhje lokale qysh nga zgjedhja e kandidatëve që do të garojnë edhe deri te programet politike të cilat po i afrohen popullit. Nëse i pyet njerëzit në rrugë se çfarë programi për këto zgjedhje lokale të ka afruar një parti shqiptare, jam i bindur se nuk dinë të japin përgjigje.
Ajo që le me gishta në gojë subjektet politike shqiptare është gara e habitshme e kandidatëve të LSDM-së për kryetar të Komunës së Kumanovës. Zoran Damjanovski dhe Martin Dimitrievski dy kandidatët e mundshëm që janë duke garuar brenda partisë së tyre fillimisht kanë paraqitur programet e tyre për të tërhequr anëtarësinë e tyre, pastaj bëhet zgjedhja e tyre dhe në fund dalin në mejdan ose garë për të fituar Komunën e Kumanovës.
Menjëherë pas leximit të këtij rasti më ka shkuar ndërmend të pyes se cili subjekt politik shqiptar për ndonjë komunë shqiptare ka vepruar kështu? A di opinioni për garën e brendshme partiake për shembull në subjektet e reja politike shqiptare si Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, se për subjektet e vjetra politike si BDI dhe PDSH po kuptohet se ka perënduar koha e tyre?
Nëse edhe Lëvizja Besa edhe Aleanca për Shqiptarët veprojnë njëjtë si BDI dhe PDSH-ja në përzgjedhjen e kandidatëve, demokracisë së brendshme, tregtisë prapa syve të opinionit, atëherë cili do të ishte qëllimi i ekzistimit të tyre? Apo ndoshta t`i zëvendësojmë disa të këqij me të këqij tjerë? Po ndryshimi që janë duke e pritur shqiptarët kur do të ndodh?
Veprimtaria politike në këto zgjedhje lokale e të gjitha subjekteve politike shqiptare pa asnjë përjashtim po më jep përgjigjet e pyetjeve të panjohura deri më tani për mua se pse shqiptarët vendosën që të votojnë për një opsion maqedonas.
Unë tashmë e di programin politik të LSDM-së dhe kandidatët e saj për Komunën e Kumanovës, e di edhe programin politik të VMRO-DPMNE-së dhe subjekteve tjera politike maqedonase. Por nuk di gjë për programet politike të subjekteve politike shqiptare për këshilltarët e mundshëm që mund të nxjerrin në Kumanovë po edhe për Komunën e Likovës dhe komunat tjera shqiptare në Maqedoni.
Unë nuk di asgjë se çka ka punuar deri më tani kryetari i komunës së Kërçovës dhe cila është arsyeja ( përveç që është shqiptar) që ta mbështes atë në zgjedhjet lokale? Të qenurit të tij shqiptar nuk zgjidh problemet e hallexhinjve të shumtë të Komunës së Kërçovës. Duhet pasur interesim dhe vizion për të zgjidhur hallet e qytetarëve.
Për shembull, në Komunën e Strugës, lideri i LR PDSH-së, Ziadin Sela, kandidat i dikurshëm i PDSH-së nuk ka treguar asnjë rezultat konkret dhe të prekshëm për banorët e Strugës. Përveç ankesave që kam dëgjuar për të, nuk kam parë ndonjë rezultat të prekshëm për qytetarët e Strugës.  Po tash me cilin parim ka vendosur që të kandidoje për Strugën, vetëm për atë se është shqiptar dhe se Komuna e Strugës nuk duhet që të shkoje në duart e maqedonasve? Nëse është kjo logjika dhe parimi i veprimtarisë politike të subjekteve politike shqiptare, atëherë ne me të vërtet qenkemi një popull i prapambetur dhe pa kulturë politike.

Problemet e shqiptarëve në Maqedoni janë të prekshme, edhe zgjidhjet për ato probleme duhet që të janë të prekshme. Në Vizbeg të Shkupit shqiptarëve të atij fshati i duhet shkollë ku fëmijët e tyre do t`i çojnë të mësojnë se si duhet shqiptaria. Atyre nuk i duhet mentaliteti i kot dhe prapambetur politik nacionalist. Banorët e Vizbegut janë shqiptar dhe do të janë edhe shqiptar më të mirë nëse ndonjë subjekt politik shqiptar i premton dhe i ndërton një shkollë fillore, ia rregullon rrugën, kanalizimin e ujësjellësin.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...