Hamdi Nuhiju
Krimi në Maqedoninë e Veriut është në rritje e sipër. Gazetarët që përcjellin
për çdo ditë buletinin e policisë ndjehen të shqetësuar për raportimet dhe
llojet e krimit që realizohen në vendin tonë. Në përgjithësi, nuk ka skaj të
Maqedonisë së Veriut që nuk ndodh ndonjë vepër kriminale e dënueshme me ligjet
në fuqi.
Policia edhe pse ndërmerr masa dhe aktivitete të ndryshme gjatë tërë vitit
për parandalimin e krimit, dhe po lexojmë vazhdimisht për shpërnguljen e popullatës
së vendit, është pak e habitshme trendi i vazhdueshëm i rritjes së krimit. Në shikim
të parë të krijohet përshtypja se policia dhe institucionet e hetuesisë thuajse
nuk ndërmarrin asgjë për parandalimin e krimit.
Ka disa elemente të krimit të cilat janë transformuar, si për shembull
rasti me pasaportat bullgare, ose më mirë thënë skandali ku qenë të përfshirë
edhe disa policë.
Jashtë syve të opinionit, shumë njerëz e pranojnë se një pjesë e
konsiderueshme e policisë janë vet pjesë e krimit duke e nxitur dhe furnizuar
atë me material.
Madje disa lloje të krimeve thuajse nuk raportohen fare. Sidomos kur e kemi
parasysh sezonin e dasmave dhe problemet e vazhdueshme me teprinë në ahengjet
familjare duke përdorur armë, alkool,si dhe zëri shurdhues i muzikës që në vazhdimësi
shndërrohet në pengesë për shumë njerëz që nuk janë pjesë e ahengut familjar.
Pak para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ministri i punëve
të brendshme, Oliver Spasovski paralajmëroi vetingun e famshëm në polici. Gazetari
Zoran Bozhinovski nga Burevesnik këtë veting të policisë e interpretoi si formë
e fshehjes së gjurmëve të protagonistëve të caktuar nga pushteti i kaluar. Se për
çfarë fshehjes gjurmësh bëhet fjalë, lexuesi i këtij teksti mund të orientohet
në shkrimet e tij.
Megjithatë, vetingu në polici është i domosdoshëm për të pastruar radhët e
policisë dhe për të krijuar siguri tek njerëzit. Shumë njerëz ngurrojnë që t`i
paraqesin rastet në polici ngaqë besojnë fuqishëm se vetes mund që t`i sjellin vetëm
sherre.
Bota e krimit është e larmishme dhe me shumë mirëkuptim për uniformat e
kaltra. Ajo që është e habitshme për opinionin, e sidomos për gazetarët është mënyra
e raportimit në buletinin e policisë për krimin. Një njeri i thjeshtë në
Maqedoninë e Veriut mjafton që ta gjurmon buletinin e policisë për ta kuptuar
se për çfarë bëhet fjalë.
Prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do
të mbahen me 12 prill të vitit 2020, ka ndryshuar si duket edhe qasja në
raportimet e policisë për krimin. Prej me 1 nëntor e deri më sot, 12 nëntor të
vitit 2019 niveli i krimit në buletinin e policisë është në rënie.
Sot për shembull në buletinin e policisë është raportuar për katër kafshime
nga qen endacak, dy rrahje, një ndërtim pa leje, një transport pa leje, një
plagosje, gjetjen e një të zhdukuri, dy bomba të vjetra të dorës, një vjedhje,
dy raste të falsifikimit të dokumenteve, një aksident me efekt vdekjen, një
rast të armëmbajtjes pa leje, dy mashtrime dhe dy raste të kapjes me marihuanë.
Për një njeri të rëndomtë që për herë të parë përcjell buletinin e policisë
këto raportime duken të shumta dhe të mëdha, por për një gazetar që me vite për
çdo ditë përcjell buletinin policisë e sheh që diçka nuk është në rregull.
Natyra e krimeve po thuajse është e njëjtë për çdo ditë, me përjashtim të
sezoneve të caktuara të dimrit, verës, të dasmave, të nisjes së shkollës, të
ardhjes së mërgimtarëve etj. Ajo që është e habitshme në raport me këto krime, është
mungesa e ndërmarrjes së masave nga ana e institucioneve të shtetit për t`i
ndryshuar seriozisht dhe rrënjësisht shifrat.
No comments:
Post a Comment