Hamdi Nuhiju
Në botën shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës,
po edhe në diasporën shqiptare po lexojmë dhe dëgjojmë për raste të ndryshme të
dhunës në familje, të shtimit të bandave shqiptare, të konsumimit dhe shitjes së
drogës.
Sidomos jemi tronditur nga lajmet e tilla ku nusja e djalit përjashton nga
shtëpia vjehrrën, ku djali ther me thikë babain, burri gruan. Raste të këtilla kemi
dëgjuar nga mediet në Shqipëri ,Kosovë , po edhe në Maqedoni. Secili rast në mënyrë
specifike ka historikun e vet dhe trajtimin që duhet të marr nga komponentët.
Mediet botërore shpesh herë raportojnë për bandat shqiptare që janë në
rritje e sipër sidomos në Angli dhe në Itali, ndërsa tashmë është e ditur botërisht
për rrjetin e prostitucionit në Itali.
Shqiptarët janë të njohur edhe për kontrabandimin e drogës në Holandë, si
dhe tregtisë me njerëz në Itali si dhe në tërë Evropën. Në kronikat ditore të
zeza, shqiptarët kryesojnë listën e personave që trafikojnë emigrantët përmes
rrugëve ilegale nga Lindja e Mesme.
Nëse keni pasur rastin t`i përcillni emisionet hulumtuese në Tiranë, keni
pasur mundësinë që të informoheni se sa shumë të rinj të shkollave të mesme të
Tiranës, por edhe të tërë Shqipërisë e konsumojnë drogën. Me sa lehtësi shitet
droga në oborret e shkollave dhe se për këtë gjë deri më tani nuk është ndërmarr
asnjë hap konkret drejt përmirësimit të gjendjes.
Po ashtu edhe në Maqedoni, në disa shkolla të mesme haptas shitet hashashi,
madje dihen nga të gjithë, pikat e shitjes, përveç policisë e cila siç duket
veshët i ka futur nën kapelë, ndërsa sytë prapa maskave, për të mos parë e dëgjuar
asgjë. Lexuesi duket i hutuar nga titulli i këtij shkrimi dhe trajtimi i temës deri
në këtë pikë. Çka ka të përbashkët konsumimi i një lloji të kulturës me krimin
dhe llojet e ndryshme të tij?
Përgjigjen e kësaj pyetje shumë sociolog në botën shqiptare duhet që ta hulumtojnë,
ndërsa opinionistët duhet të nxisin dhe alarmojnë për temat e këtilla. Në botën
shqiptare fatkeqësisht po konsumojmë një kulturë e cila po nxit dhe po prodhon
kronikën e zezë.
Fatkeqësisht flitet për vlera në të gjitha sferat dhe spektaklet, ndërsa prodhohen
anti-vlera dhe gjëra të dëmshme për hemisferën shqiptare.
Ndalemi pak në Kosovë tek disa prej spektakleve televizive. Keni dëgjuar për
serialet e famshme si Shengen Visa, Te Nazi, Ekspertiza, skeçet e Stupcave, si
dhe emisionet Në Kosovë Show, Odeon, Kojshia Show. Dhe e dini se çka bëhet fjalë
aty? Seriale të mbushura me të shara dhe me sjellje destruktive që prodhojnë vetëm
dhunë, urrejtje, nxitje për dhunë dhe akte të turpshme morale.
Shkojmë në Shqipëri dhe ndalemi pak te serialet e famshme Klanifornia, Al
Pazar, Portokallia, emisionet hulumtuese si Stop, Fiks Fare, Boom, si dhe
emisionet tjera. A e dini mesazhin që jepet aty? Në këto seriale mund që të
shohim skena që nxisin për prishjen e raporteve familjare, skena erotike,
nxitje për dhunë, pornografi thuajse të pastër dhe sulm të vazhdueshëm ndaj
vlerave fetare qofshin ato krishtere ose islame.
Këto dy shkolla, Kosova dhe Shqipëria prodhojnë material të vazhdueshëm dhe
të mjaftueshëm edhe për konsumin e brendshëm në Maqedoni, por edhe në diasporën
shqiptare.
Pastaj po habitemi me shifrat alarmante nga kronika e zezë. Thënien e urtë
popullore “Më trego cilin e ke shok, të tregoj se kush je” do ta kisha zëvendësuar
me thënien “Më trego çfarë kulture konsumon të tregoj se çfarë kronike të zezë
ke”.
No comments:
Post a Comment