Tuesday, September 8, 2020

Me dy kryetar komunash mos u habisni nëse përsëri i fitojnë zgjedhjet

 

Hamdi Nuhiju

Zgjedhjet lokale po afrohen. Subjektet politike shqiptare dhe maqedonase si duket janë duke kërkuar formula dhe forma se si të akomodohen pas zgjedhjeve të vështira parlamentare ku të gjithë dolën fitues dhe humbës . Zgjedhjet lokale si duket janë lënë në harresë ose po përmenden vetëm nëpër kafene nga eksponent të ndryshëm të subjekteve politike si një kohë ose datë e mundshme e mbajtjes së tyre. Por, deri më tani nuk kemi parë asnjë hap konkret të ndërmarr nga ana e subjekteve politike shqiptare për përgatitjen e terrenit për zgjedhje.

Para mbajtjes së zgjedhjeve lokale po përfliten skenare të ndryshme të ndryshimit të qeverisë ose opozitës. Zërat nën zë kanë filluar që sheshit të shpalosin ide të ndryshme se si do të duhej që të ruhej ajo pjesë trupi elektoral i pandikuar nga dyert e pushtetit disa dekadësh.

Zgjedhjet lokale që priten të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm (2021), do të jenë proces më i vështirë sesa zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nëse aleancat strategjike të subjekteve politike shqiptare dhe maqedonase janë definuar qysh në zgjedhjet parlamentare, kjo gjë nuk nënkupton se kjo formulë duhet që të vlejë edhe për zgjedhjet lokale. Edhe teza tjetër e marrëveshjes së koalicionit për zgjedhje parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale është e arsyeshme dhe gjallë në tavolinën e subjekteve politike shqiptare dhe maqedonase. Dallimin do ta bëjnë disa komuna speficike. Ato komuna lidhen me individ specifik.

Nëse i besojmë logjikës shkak-pasojë, mos u habisni nëse përsëri Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës dhe Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit t`i fitojnë zgjedhjet. Të mos flasim për kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski i cili ka gjetur terren të përshtatshëm dhe të përpunuar mirë nga ana e pasardhësve të tij.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare për subjektet politike që përfaqësojnë Taravarin dhe Erkan Arifin dëshmojnë për punën e mirë që ata kanë treguar në terren. Por nuk është vetëm kjo komponent që këto dy kryetar komunash i bën favorit edhe për këto zgjedhje lokale që priten të mbahen vitin e ardhshëm. Mjafton të përcillësh punët në terren, aktivitetin e pandërprerë, komunikiminin me opinionin si dhe mënyrën e qasjes në investime kapitale në këto dy komuna.

Për opinionin do të ishte e habitshme nëse kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe kryetari i Komunës së Studenicanit, Azem Sadiku do t`i fitonin përsëri zgjedhjet.

Subjektet politike shqiptare duhet që të merren me matjen e rejtingut të kandidatëve të tyre për kryetar komunash, si dhe rezultatet e treguara ose dështimet eventuale të tyre gjatë viteve. Pushteti lokal është shumë më i rëndësishëm se pushteti qëndror. Përmes këtij pushteti, qytetari preket direkt me punën ose dembelizmin e udhëheqësit të institucioneve.

Të gjitha subjektet politike shqiptare kanë kuadro të cilat dinë dhe munden të menaxhojnë me miliona problemet e komunave tona. Mjafton që ato kuadro të mos lihen në listën e pritjes te dera e partisë, ndërsa të favorizohen ose të avancohen individ të caktuar që kanë lidhje direkte me kryetarin e partisë.

Buxheti i komunave shqiptare nuk duhet që të përdoret si buxhet familjar i kryetarit të komunës. Por të dihet saktësisht se kryetarët duhet të janë në shërbimin e qytetarëve dhe jo e anasjellta.

Tuesday, August 25, 2020

Në veten e parë: Si e sheh një provincialist ArtCampin?

 

Mr. Hamdi Nuhiju

Këto ditë u përmbyllë ngjarja më e rëndësishme kulturore në Komunën e Likovës dhe Kumanovës “ArtCamp” ku artist të ndryshëm u paraqitën me veprat e tyre artistike para opinionit. Për së afërmi patëm mundësi të shijojmë mjeshtërinë artistike duke u krenuar për nivelin dhe cilësinë që ata bartin e që mund të krahasohen edhe me artist rajonal por edhe botëror.

Kjo ngjarje kulturore e përkrahur nga të gjithë, e sidomos nga ministria e kulturës i ka dhënë jehon rajonit të Kumanovës si një vend ku lirshëm mund të kultivohen vlerat e larta artistike. Por, u bë shumë zhurmë nga nata e dytë e ngjarjes, nga lëshimet e qëllimshme ose pa qëllimta të organizatorëve duke zgjuar në opinion pikëpyetje të ndryshme për prapavijë të mundshme eventuale.

U bë zhurmë edhe për zgjedhjen e lokacionit që nuk duhet të jetë ngarkesë për artistët që morën pjesë në të e të ndihen me faj, por është një huqje e organizatorëve.

Si një “provincialist” që jam e që nga 100 % aktivitete kulturore në Komunën e Kumanovës e Likovës zakonisht i përcjelli 95 % të tyre, mora pjesë me shoqërinë time edhe në ArtCamp. Dëshira ime ishte që ta përcjell stand up comedy nga Hasim Memishi Sopi. I njëjti na bëri të qeshim me realitetin tonë të hidhur politik e shoqëror duke zgjedhur situata të ndryshme nga përditshmëria e nga të cilat mund të prodhohen komedi. U qeshëm dhe u kthjellëm për sjelljet tona të mbrapshta, u edukuam për mënyrën se si sillemi me gratë, nëpër dasma, u vetëdijesuam për parinë tonë politike e cila dukshëm është duke luajtur me fatin tonë. Pas paraqitjes së aktorit tetovar Hasim Memishi Sopi, vijoi një çmenduri njerëzore e cila nuk mund të shpjegohet as nga një provincialist si unë, e të mos flasim nga përparimtarët që kanë marr në dorë çështjet e artit për t`i ecur para. Një digjej të cilit as që dua t`ia mbaj mend emrin, lëshonte muzikë dhe në mes u futën artistët e artistet me “skopsko” në dorë duke vallëzuar e kërcyer. Publiku nga anash shikonte. Deri në përfundimin e performancës të këtij dixheji qëllimisht qëndrova anash për të parë rrjedhën e mëtutjeshme të këtij ArtCampi. Pasi u nxehën mirë artistët e artistet duke kërcyer e pirë “skopsko”, organizatorët lëshuan një zë femre që kërkonte nga ne t`i lirojmë hapësirat e kampit. Artistët janë të lodhur dhe duan pushim. Dhe ngadalë u lëshuam për te vetura që e kishim lënë afër varrezave të dëshmorëve në Sllupcanin legjendar dhe u nisëm për në vendet tona.

Në pjesën e parë të mbrëmjes ku unë si provincialist mora pjesë i kuptova mesazhet dhe qëllimet e ArtCampit, u dashurova në ArtCampin dhe thash në vete shumë mirë që ekzistojnë organizime të këtilla.

Në pjesën e dytë u zhgënjeva. Ishte disko, nuk ishte ArtCamp. Te varrezat e dëshmorëve. Kur dua të shkoj në disko, nuk i them shoqërisë time eja të shkojmë në ArtCamp, por nisemi për në diskotekë. Realizojmë qëllimet tona dhe përsëri vazhdojmë jetën. Shkojmë me kilometra larg, e tërë rruga na kushton mjete financiare, plus para se të futemi në diskotekë duhet të paguajmë për hyrjen, kur futemi brenda duhet të paguajmë për pijet, pimë, arrijmë qëllimet tona dhe kthehemi në shtëpi. Mirëpo kjo gjë ngel në përgjegjësinë tonë provincialiste. Në këtë veprim nuk merr pjesë edhe TJETRI me paratë e tij.

Pse paratë e ministrisë së kulturës duhet të përdoren për Disko-Party? Unë protestoj që taksat e mia të shkojnë në organizime të Disko-Party. Nëse dikush do të i vizitoje të njëjtat, le ta bëje me buxhetin e tij personal.

ArtCampi le të rroje, por si ArtCamp, e jo si disko PROVINCIALISTA.

 

 

Saturday, August 15, 2020

A do të hanë të gjithë kumbulla, apo dikujt do t`i mpihen dhëmbët?

 

Hamdi Nuhiju

Rezultati zgjedhor i zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit 2020 ishte befasues për spektrin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët thuhet se për herën e parë në historinë e pluralizmit politik dhe të demokracisë kanë arritur që të sigurojnë 32 mandate në Parlament. Por, edhe pse numri i deputetëve shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë Veriore është i kënaqshëm për të gjitha anët, përsëri rezultati zgjedhor është i tillë që krijon shumë amulli rreth formimit të qeverisë dhe stabilitetit të saj në të ardhmen.

Disa zëra hodhën në opinion tezën se nuk është patjetër në Maqedoninë e Veriut të kemi qeveri stabile, bën që qeveria të jetë jo stabile. Teza e këtillë kërkon një sqarim të detajuar edhe për çmimin që do të duhej të paguhej nga ana e subjekteve politike po edhe e votuesve.

15 korriku i dha mundësinë të gjitha subjekteve politike shqiptare e maqedonase që do të shpresojnë dhe të janë pjesë e cdo lloj kombinimi. Të gjithë janë në lojë dhe jashtë loje: do të ishte përgjigja ime për ata që pyesin se kush do të formoje qeverinë e ardhshme në Maqedoninë e Veriut.

Këto zgjedhje kishin edhe specifikën e saj se u realizuan në kohën e pandemisë globale Kovid 19, por edhe të vulës së shpejtuar të menjëhershme të faktorëve ndërkombëtar për shpalljen e tyre legjitime.

Opozita shqiptare ka ngritur dyshimet e saja për legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve duke alarmuar edhe institucionet ndërkombëtare që merren me vëzhgimin e tyre. E vetmja mangësi e këtyre dyshimeve të ngritura është mungesa e qëndrueshmërisë dhe forcës për t`i materializuar ato dyshime.

Në situata të këtilla, Bashkimi Demokratik për Integrim e ndjen veten komod duke vazhduar me agjendën e saj të nisur nga zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe kongresit të saj tematik. Prokurorisë Speciale Publike i humbi kredibiliteti dhe pesha e saj publike, VMRO-DPMNE-ja me gardianët e saj të vjetër është cliruar dhe tashmë po ka mundësi që të merr frymë lirshëm.

Shqetësues për opinionin është fakti i krijimit të peshës parlamentare të një subjekti politik si partia “E Majta” e cila si duket ka edhe pikëpamje ekstremiste fashiste.

Tashmë mandatin për formimin e qeverisë së re e ka marr lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Ekzistojnë disa opsione të cilat po përfliten në publik dhe në privat se si do të vepronte Zoran Zaev në këtë moment. Edhe pse është mirë për demokracinë që të kemi edhe opozitë edhe pozitë shqiptare, si duket Evropës nuk do t`i pengonte varianti që të gjitha subjektet politike shqiptare të ishin pjesë e pushtetit së bashku me LSDM-në dhe në këtë mënyrë të krijohej një shumicë parlamentare prej 74 votave.

Opozita shqiptare ka vënë në lojë kërkesën e BDI-së për kryeministrin shqiptar, Naser Zyberi. Ajo ia ka ofruar numrat e saj, BDI-së, nëse kjo e njëjta arrin që ta materializoje këtë kërkesë.

Koha në vijim do të dëshmoje nëse të gjitha subjektet politike shqiptare do të janë pjesë e pushtetit, apo disa nuk do të kanë mundësi të hajnë kumbulla. Por mpirjen e dhëmbëve nuk guxon që t`ia ndaloj askush.

Monday, August 3, 2020

Kronika e zezë në bashkëekzistencë mediale

Mr. Hamdi Nuhiju
Hyrje

Koha në të cilën po jetojmë ka dëshmuar qartë për transformimin e madh të informacioneve dhe sjelljeve të njerëzve. Ndryshimet teknologjike dhe zhvillimi i hovshëm i medieve ka sjell botën e informacioneve nga katër anët e globit në duart e njeriut. Tashmë vetëm me një klik mund të informohesh për ngjarjet më të ndryshme në cepin më të thellë të globit duke mos  harxhuar mund dhe kohë për gjurmim. Informacioni është përzier dhe përlyer së tepërmi me dezinformimin saqë pjesa e dytë është shndërruar në fenomen modern. Njerëzit, shtetet, qeveritë, institucionet e ndryshme ndërkombëtare kanë probleme serioze me lajmet e rreme dhe qasjen ndaj tyre.

Profesori universitar Vladimir Shtambuk nga Fakulteti i shkencave politike në Universitetin e Beogradit jep interpretime të ndryshme për atë se si duhet kuptuar mediet.

“Problemi me përcaktimin e termit media është aty që ai jo vetëm që është tepër i rëndësishëm por ka edhe disa përdorime triviale të cilat në masë të madhe e ndërlikojnë jo vetëm përcaktimin e atij termi, por paraqesin edhe pengesa serioze në komunikim.”[1], shkruan Shtambuk.

Shtambuk përcjell mendimin se mediet kanë rrole dhe detyra të ndryshme, ndërsa tradicionalisht definicioni më i përdorshëm është ai se mediet janë bartëse të informacioneve.

Përskaj një bote pafund të definicioneve dhe përcaktimeve akademike dhe shkencore të përdorimit të medieve nga ana e njerëzve dhe ekzistencës së informacioneve, problem thelbësor në kohën moderne është bërë edhe përdorimi ose keqpërdorimi i fatkeqësive dhe ngjarjeve me ngjyrime krimi për të rritur efektet komerciale në një treg të pamëshirshëm.

Kronika e zezë është bërë e domosdoshme në ofertën mediale. Thuajse as që guxohet të mendohet krijimi i një platforme mediale pa ekzistencën e kronikës së zezë. Por, efektet psikologjike dhe sociale që nxiten me përkushtimin e medieve ndaj kësaj rubrike janë shndërruar në pjesë e debateve akademike midis qarqeve të ndryshme.

Etika profesionale është vënë në sprovë përballë fluksit të madh të informacioneve të përditshme nga bota e kronikës së zezë. Deri ku janë kufijtë? A kanë të drejt mediet të publikojnë dhe të informojnë për gjithçka, apo ndoshta duhet ruajtur etika profesionale duke respektuar disa norma dhe parime njerëzore?

 

Efekti social dhe psikologjik

“Kronika e zezë është shprehje e cila me rëndësinë e saj definon rubrikën në gazetë të caktuar për lajmet nga krimi, tregtia e palejuar dhe fatkeqësive tjera, gjegjësisht ngjarjeve të ngjashme që thirren në vdekje, ose dëmtime masive. Në kuptimin e gjerë të fjalës nënkuptohet përmbajtja përgjegjëse në të gjitha mediet masive duke përfshirë edhe radion, televizionin dhe internet portalet. Edhe pse përmbajtjet të cilat tradicionalisht udhëhiqen nën kronikën e zezë janë prezent qysh në fillimin e gazetave si medie, kronika e zezë shpesh herë llogaritet si shumë pak e rëndësishme në formën e gazetarisë. Gjegjësisht përmbajtja e kronikës së zezë në raport me të gjitha tjerat, gjegjësisht qasja ndaj temave të tilla merret si një indikator se sa një medie është serioze ose e verdhë”.[2]

Edhe përskaj qasjes dhe kuptimit fillestar të kronikës së zezë si përcaktuese e seriozitetit ose jo seriozitetit të një medie të caktuar, megjithatë ajo gjithnjë e më shumë po është prezent duke krijuar efekte të ndryshme sociale dhe psikologjike.

Mediet gjithnjë e më shumë po i kushtojnë rëndësi kësaj rubrike duke krijuar imazhe dhe efekte psikologjike te njerëzit për fenomene të ndryshme negative që ndodhin në shoqërinë tonë. Lajmet e tilla për ngacmime seksuale në polici, shantazhime të vajzave përmes rrjeteve sociale, tradhti bashkëshortore, përdorimi i drogës, trafikimi i qenieve njerëzore, aksidente të shumta me efekt vdekjen, janë bërë tashmë normale.

Siç duket, rroli i medieve për të mbrojtur dhe ruajtur të mirën publike e ka humbur sensin dhe kuptimin e saj. Ai rrol tashmë është transformuar në një vegël në duart e manipuluesve që po i përdorin mediet për të shfrytëzuar të mirën publike në dobi të tyre.

Doktorët Ricard Poll dhe Linda Elder në librin “Manual për mendimtarin për GABIMET LOGJIKE”, e kanë qartësuar dhe definuar saktë rrolin e një manipuluesi të këtillë:

“Manipuluesit nuk e shfrytëzojnë intelegjencën e tyre për të mirën publike. E shfrytëzojnë për ta fituar atë që e duan bashkërisht me ato që i ndajnë interesat e tyre. Arma e tyre janë dominimi, demagogjia dhe kontrolli”[3].

Kur dëshira e manipuluesve është për ta shfrytëzuar intelegjencën e tyre drejt përfitimit të mirave publike, ata lehtas e përdorin edhe kronikën e zezë dhe imazhet e saj dhe efektet psikologjike dhe sociale për të arritur deri te qëllimi i tyre. Kaosi dhe problemet që mund të krijohen nga përdorimi dhe keqpërdorimi i pozicioneve të tilla mbillen në nënvetëdijen e njerëzve dhe krijojnë sjellje të habitshme. Qëllimi është që të krijohet panik, të mbillet frikë që sa më lehtë njerëzit të përçahen dhe të sundohen. Këto efekte dhe imazhe përshtaten me direktivat korporatave të medieve që sot janë pushteti i katërt.

Gjuro Shushniq në librin e tij “Peshkatarët e shpirtrave njerëzor” e shpjegon shumë bukur këtë gjendje:

“Mënyra më efektive për manipulimin e njerëzve është që situata e tyre ekzistenciale të bëhet e pasigurt, e paqartë, e papërcaktuar, e paqëndrueshme, një situatë e re, e dyshimtë, me plot pritje, ankth dhe frikë. Në këto lloje situatash, aftësia kritike e vetëdijes pëson rënie dhe individi merr sjelljen e të tjerëve ( të shumicës) si masë të sjelljes së tij”[4].

Mjet më i mirë për të arritur deri te manipulimi i njerëzve sesa mediet nuk ka, dhe rubrikë më e përshtatshme sesa kronika e zezë.

Situata e këtillë i shkon përshtati pushteteve që duan të sundojnë me njerëzit dhe të humbasin masën kritike të tyre. Për këtë arsye jo rastësisht në të kaluarën pushtetet kanë krijuar material ose lajme për kronikën e zezë për të rritur nivelin e frikës dhe pasigurisë te njerëzit.

Koncepti i lirisë në medie nuk duhet që të keqpërdoret prej manipuluesve për të arritur synimet e tyre.

Profesoresha universitare, Viktoria Kafexhiska në librin e saj “Mendimi publik dhe mediet masive” ka sqaruar saktësisht se liria në aspektin medial është gjendje dhe jo kriter:

“Liria më shumë është gjendje, e më pak kriter për realizimin medial. Ajo ka të bëje me të drejtën për shprehje të lirë dhe formimin e lirë të mendimeve, por kjo e drejtë që të realizohet duhet të ketë qasje deri në kanalet mediale dhe mundësi për të pranuar lloje të ndryshme të informacioneve. Kredibiliteti i cilit do informacion varet nga ajo se sa qeveria, reklamuesit, pronarët ndikojnë ndaj saj. Pavarësia është njashtu kusht që ajo të siguroje që mediet të janë mbrojtës të interesit publik, duke nxitur interesimin e qytetarëve për ato që kanë fuqi më të madhe në shoqëri”.[5]

Në anën tjetër, Noam Chomsky ka bërë dallime thelbësore midis lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës. Sipas tij, liria e fjalës është vlerë e cila duhet kultivuar dhe mbrojtur, ndërsa liria e shtypit varet prej situatave të caktuara se si përdoret:

“Që të jemi më të qartë, duhet që të bëjmë dallimin midis lirisë së fjalës prej lirisë së shtypit. Sipas kësaj, edhe nëse liria e shtypit është fasadë, liria e fjalës do t`ia vlente që të mbrohej dhe shpërndahej. Vlerësoj se kjo gjë është e rëndësishme dhe se SHBA-të kanë arritur standarde të larta në mbrojtjen e lirisë së fjalës. Kur jemi te liria e shtypit, edhe pse nuk ka dyshim se koncentrimi i madh i fuqisë ekonomike-politike ka ndikim të madh në mediet masive, unë ato do t`i emëroja “kontroll absolute”. As në shtetet totalitare, diktaturat ushtarake ose shoqëritë e robëruara, kontrolli asnjëherë nuk ka qenë absolut”.[6]

Shkelja e normave etike

Normat morale dhe etike janë të domosdoshme në punën e gazetarëve dhe medieve. Përderisa ato norma shkelen në vazhdimësi, atëherë krijohen efekte tepër negative në mesin e njerëzve.

 

Profesori universitar, Dejan Donev, në librin me titullin ‘Etika e gazetarisë’ e sqaron rrolin e normave morale dhe etike në mediet masive:

 

“Mediet masive fitojnë karakterin e fenomenit moral pasi që janë formë, shprehje dhe faktor i ndryshimit të gjendjes morale të një shoqërie. Të gjitha çështjet e hapura të ekzistencës moderne morale të njeriut reflektohen në mediet masive, me çka ata po bëhen subjekt i procesit moral, përderisa të gjithë aktorët që janë pjesë e termeve komunikator, por edhe pranues në mediet masive, janë të përfshirë nga rrjeti i kategorive etike. “[7]

 

Në anën tjetër,  profesoresha Marina Tuneva dhe Filana Koka kanë analizuar për nevojën e ekzistimit të standardeve profesionale etike në medie. Ata kanë bërë krahasime të këtyre normave dhe standardeve profesionale në Evropë dhe në Maqedoni:

 

“Nevoja për standarde profesionale etike në kohën e sotme është bërë e madhe. Liria më e madhe në medie nënkupton më pak gazetari defanzive dhe më shumë vetëdije për nevojën e standardeve me qëllim që të sigurohet cilësi dhe t`i iket keqpërdorimit. Pasojat nga puna jo etike në periudhën e ekonomisë globale dhe komunikimit të shpejt janë më serioze sesa në kohën kur dëmi nga puna jo etike ka qenë i izoluar dhe i pavërejtur. Etika në mediet del nga ata që shkruajnë dhe i redaktojnë lajmet, nga botuesit dhe pronarët e medieve, ndërsa përgatitja e standardeve etike pjesërisht është përgjegjësi personale dhe pjesërisht përgjegjësi kolektive. Prej këtu, del se përgatitja efektive dhe zbatimi i standardeve etike asnjëherë nuk nënkuptojnë burime të jashtme të ndikimit”. [8]

 

Qëllimi i publicitetit dhe rritjes së audiencës ka bërë që një pjesë e madhe e medieve t`i shkelin kodet etike dhe morale duke mos respektuar privatësinë dhe ndjenjat e njerëzve. Në televizionet publike zbulohet identiteti i personave të vrarë në aksidente të ndryshme rrugore, ndërsa në internet portalet në lajmet që kanë të bëjnë me prostitucionin, promovohen fotografi të cilat kanë efekte psikologjike të dëmshme për fëmijët dhe të rinjtë.

Arsyetimi i vazhdueshëm i këtyre medieve është se ata përmes fotografive të këtilla po e ndërlidhin lajmin ose ngjarjen me diçka vizuale të dukshme që është pjesë e të njëjtit aktivitet. Por realiteti është se në atë mënyrë nxisin klikimin dhe rritjen e audiencës.

 

Përfundim

Kronika e zezë është shndërruar në një karrem medial jo për të informuar dhe njoftuar opinionin për ngjarjet e trishta, por për të tërhequr audiencën dhe vëmendjen e njerëzve. Ajo sot po luan rrolin e një bishe gjigante të lidhjes emocionale të individit dhe shoqërisë me ngjarje të ndryshme në çdo cep të globit.

Përmes saj po synohet që të avancohet pozita komerciale e medieve. Sa më shumë që do të dominonte ngjyra e zezë në aspektin figurativ në lajmet e përditshme, aq më e madhe do të ishte kërshëria dhe interesi i njerëzve. Njerëzit rrinë zgjuar dhe të gatshëm për t`u informuar në çdo kohë karshi çdo fatkeqësie që ndodh në rrethin ku jeton. Edhe pse informacioni që plasohet ndonjëherë duket edhe tejet i parëndësishëm, si për shembull kafshimi i njerëzve nga qen endacak, por nuhatja e medieve për të nxitur kërshërinë e njerëzve është e hollë.

Si rezultat i kësaj, kronika e zezë po gjen bashkekzistencën e saj mediale duke mos pyetur aspak për kodet etike dhe morale të raportimit të gazetarisë.

 

 


[1] Da li je internet mediji?, f.44, ČASOPIS ZA UPRAVLJANJE KOMUNICIRANJEM COMMUNICATION MANAGEMENT QUARTERLY, numri 1, viti 1, dhjetor 2006, Novi Sad

[2] https://sh.ëikipedia.org/ëiki/Crna_kronika

[3] Водич за мислителот за ЛОГИЧКИ ГРЕШКИ, Dr.Ricard Poll dhe Dr.Linda Elder f.9 Shkup, 2013

[4] Peshkatarët e shpirtrave njerëzor, Gjuro Shushniq, f.156 Logos-A, Shkup, 2017

[5] ЈАВНО МИСЛЕЊЕ И МАСОВНИ КОМУНИКАЦИИ, Др.Викторија Кафеџиска, f.98 Shkup, 2019

[6] Mediji, Propaganda i Sistem, Noam Chomsky, f.56 Zagreb, 2003.

[7] Етика во новинарството, Дејан Донев, f.181 , Скопје, 2011

[8] ЕТИЧКО ИЗВЕСТУВАЊЕ НА МЕДИУМИТЕ ВО ЕВРОПА И МАКЕДОНИЈА, Д-р Марина Тунева и М-р Фиљана Кока, f.10, Shkup, 2016

Friday, July 17, 2020

Manual për deputet, me cilin gisht t`i kruajmë hundët?


Hamdi Nuhiju
E vetmja deklaratë e saktë e drejtuesit të partisë ekstremiste “E Majta”, Dimitar Apasiev, është deklarata e tij që ka të bëje me vjedhjen e zgjedhjeve. Tha se këto zgjedhje, janë ndër zgjedhjet më të parregullta në historikun e zgjedhjeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Thursday, July 9, 2020

Ruajuni nga Hasa sepse Mesi nuk po ditka me luajt futboll !!!


Hamdi Nuhiju

Reprezentacioni i Bosnjës dhe Hercegovinës po luan për herë të parë ndeshje miqësore në futboll me Barcelonën, thotë një barsoletë. Gjatë përgatitjeve për t`u përballur, trajneri i kombëtares boshnjake porosit Hasën që të kujdeset për Mesin maksimalisht, me qëllim që mos t`i lejoje të njëjtit të shënoje gol. Fillon ndeshja!

Wednesday, July 8, 2020

Pse po heshtet rikthimi në punë i mjekes Caca Biljanovska ?!


Hamdi Nuhiju

Nina Caca Biljanovska, turpi i mjekësisë maqedonase, e shkarkuar nga puna dje është kthyer në punë.

Friday, July 3, 2020

Mos u prishni për parti


Hamdi Nuhiju

Shkrimtari ynë, Kim Mehmeti bukur e shpjegon gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe qasjen e partive politike ndaj tyre. Shpesh herë e përmend ndarjen e shqiptarëve në popull partish, klane partiake.

Thursday, July 2, 2020

Deputet të leshit, sa po e shisni leshin sivjet?

Hamdi Nuhiju
15 korriku sivjet po vjen më shpejt se viteve të kaluara. Deputeti i zonës e kishte harruar rrugën për në Kumanovë. Xrrx telefoni: O shef ka ishte rruga për te shtabi? Nga ngjarjet e ngjeshura dhe aktivitetet e shumta partiake, ka ngatërruar këmishën me pantallonat.

Tuesday, June 30, 2020

Covid 19: Në Komunë vetëm për nevojën e madhe?!


Hamdi Nuhiju
Zgjedhjet e para parlamentare në epokën e pandemisë globale “Covid 19” kanë nxjerr në pah mjerimin e përfaqësuesve politik shqiptar nëpër të gjitha Komunat e Maqedonisë së Veriut. Mjerimi është më i thellë nëse gjurmojmë në Parlament dhe në fjalimet e kandidatëve për deputet.

Monday, June 29, 2020

Në tregun e dreqërve i vogli është më i shtrenjtë se i madhi


Hamdi Nuhiju

E dini të gjithë rrëfimin e njeriut që kishte vendosur për të blerë një dreq. Del në tregun e dreqërve dhe pyet për çmimin e dreqërve. Shikon një dreq të madh që po rrinte mënjanë dhe disa dreqër të vogël të renditur në tezgë.

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...